Lidhje

OKB: Fillon takimi për rishikimin e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore


Në Nju Jork filloi punimet konferenca për mospërhapjen e armëve bërthamore mes shqetësimeve për ambiciet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut. Por siç njofton nga selia e OKB-së në Nju Jork korrespondenti i Zërit të Amerikës Peter Heinlein, debati që pritet të zgjasë një muaj për rishikimin e traktatit duket i bllokuar pa filluar ende diskutimet.

Përfaqësues të mbi 180 vendeve u mblodhën të hënën në sallën e Asamblesë së Përgjithshme për rishikimin që i bëhet çdo 5 vjet traktatit, i cili është konsideruar si themeli ligjor i përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të kontrolluar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan e hapi takimin duke pohuar se traktati 35 vjeçar është tashmë i vjetëruar. Ai tha se suksesi i konferencës që pritet të zgjasë një muaj është vënë në dyshim për shkak të shpresave që ndryshme që ekzistojnë.

"Disa do të theksojnë nevojën për të mos lejuar përhapjen e këtyre armëve në rajonet e rrezikshme. Të tjerë do të thonë se duhet të përqëndrohemi në zbatimin e traktatit të tanishëm. Disa thonë se përhapja e teknologjisë për përdorimin e energjisë bërthamore paraqet një rrezik të papranueshëm. Të tjerë thonë se përdorimi i teknologjisë për qëllime paqësore nuk duhet të kufizohet. Disa do të thonë se rreziku më i madh është përhapja. Të tjetër do të thonë se rreziku më i madh janë arsenalet ekzistuese", tha zoti Anan.

Pa përmendur ndonjë shtet me emër, Sekretari i Përgjithshëm e bëri të qartë shqetësimin e tij rreth Koresë së Veriut, duke lënë të kuptohet se tërheqja e Phenianit nga traktati, i ka bërë një dëm të rëndë besueshmërisë së këtij ligji ndërkombëtar.

"Duhet forcuar besimi dhe integriteti i traktatit, veçanërisht pas tërheqjes së parë të shpallur nga një prej shteteve. Në se shkeljet nuk diskutohen konkretisht, siguria kolektive bazë, mbi të cilën qëndron traktati, do të vihej seriozisht në pikëpyetje", tha zoti Anan.

Indirekt, zoti Anan kritikoi edhe Iranin, vend për të cilin shumë dyshojnë se po i përdor kërkimet për energji civile si një mbulesë për programin e armëve.

"Shtetet që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të padiskutueshme për të prodhuar dhe përdorur energji bërthamore për qëllime civile, nuk duhet të këmbëngulin se këtë mund ta bëjnë vetëm në se zotërojnë teknologjinë, që mund të përdoret për prodhimin e armëve", tha zoti Anan.

Zoti Anan nuk i përmendi konkretisht Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, por bëri një referencë të qartë për kërkesat e disa vendeve që këta dy kundërshtarë të luftës së ftohtë, kanë ecur shumë ngadalë drejt çarmatimit.

"Një hap i rëndësishëm do të ishte që dy rivalët e Luftës së Ftohtë të angazhohen në mënyrë të pakthyeshme për t’i shkurtuar më tej arsenalet, që mbushjet bërthamore të numërohen me qindra dhe jo me mijëra", tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Nënsekretari amerikan i shtetit Stephen Rademaker është mes 17 delegatëve të planifikuar për të folur në konferencë gjatë ditës sës parë. Zoti Rademaker ka thënë më parë se ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk kanë në plan të paraqesin nisma të reja çarmatimi gjatë konferencës, ato do të kërkojnë që vendet që shkelin traktatin e tanishëm të mbahen përgjegjëse.

Shtetet e Bashkuara po ashtu po kërkojnë mbështetje politike për një propozim që do t’u kërkonte shteteve që zotërojnë aftësi bërthamore, të mos u japin teknologji pasurimi dhe përpunimi, shteteve që nuk kanë reaktorë funksionues për prodhimin e energjisë bërthamore.

XS
SM
MD
LG