Lidhje

Ndihmës Sekretari i Shtetit, Burns do të flasë sot në Kongres mbi statusin e Kosovës


E lënë pak mënjanë për shkak të luftës në Irak dhe çështjeve të tjera, gjendja në Kosovë ka zier përbrenda gjatë viteve të fundit me diskutime shumë të pakta mbi të ardhmen e satusit të saj përfundimtar.

Por administrata e Presidentit Bush, e shqetësuar nga kjo ngecje, po kërkon t’u japë përsëri shtytje përpjekjeve për zgjidhjen e këtij problemi me anë të një strategjie që ka për synim të rifillojë negociatat nën kujdestarinë e Kombeve të Bashkuara, ndoshta brenda këtij viti.

Plani amerikan, rezultat i këshillimeve intensive me aleatët evropianë, do të përvijohet sot nga Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështje politike, Nikolas Burns, gjatë një seance të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhënie me jashtë.

Zëdhënësi i Departamenti të Shtetit, Riçard Bauçer, tha se zoti Burns do të mbajë edhe një fjalim tjetër mbi Ballkanin nesër në Qendrës Wilson.

Në këto dy fjalime apo deklarata, tha ai, zoti Burns do të spjegojë strategjinë tonë për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Kjo do të bëhet në përputhje me objektivat e nxitjes së qendrueshmërisë rajonale dhe të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të Kosovës, sidomos të pakicave. Kjo është një çështje që Shtetet e Bashkuara kanë diskutuar gjerësisht me miqtë dhe aleatët e tyre.

Hollësitë e planit amerikan ende nuk janë bërë të ditura, por gazeta Washington Post shkruante në numrin e saj të djeshëm se plani përfshin emërimin e një të dërguari të Kombeve të Bashkuara për të vlerësuar nëse Kosova është e gatshme për fillimin e bisedimeve mbi statusin përfundimtar.

Nëse vlerësimet janë pozitive, theksoi zoti Bauçer, dhe zyrtarët amerikanë sugjerojnë se ato duhet të jenë pozitive, Kombet e Bashkuara do të fillojnë negociatat për të përcaktuar nëse Kosova të bëhet e pavarur, të mbetet pjesë e Serbisë apo t’i jepet një status tjetër.

Komuniteti ndërkombëtar nuk i ka filluar bisedimet për statusin përfundimtar, duke pritur përparimin e Kosovës në përmbushjen e një liste standardesh lidhur me çështje të tilla si vetëqeverisja, kthimi i refugjatëve dhe mbrojtja e të drejtave të pakicës serbe.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha dje se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë kanë arritur në përfundimin se përmbushja e këtyre standardeve dhe negociatat mbi statusin përfundimtar të Kosovës mund dhe duhet të fillojnë njëri pas tjetrit:

“Ne, Kombet e Bashkuara dhe të tjerët, theksoi zoti Bauçer, kemi vazhduar punën në përpjekje për të krijuar një gjendje më të qendrueshme përmes përmbushjes së të ashtuquajturve standarde të demokracisë, të qeverisjes së mirë, trasnparencës dhe kthimit të mirëpritur serbëve dhe të tjerëve në shtëpitë e tyre. Por ky proces mund të ecë deri në një farë shkalle pa përkufizimin e statusit. Njerëzit që ndodhën në atë gjendje kërkojnë të dijnë në fund të fundit se ku do të jetojë, se pjesë e kujt do të jenë.”

Zoti Bauçer tha se Washingtoni nuk mund të parashikojë rezultatin e bisedimeve mbi statusn përfundimtar të Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kërkojnë që çështja të zgjidhet në mënyrë që rajoni i Ballkanit të stabilizohet dhe të gjejë të ardhmen e tij në Evropë dhe në insititucionet euro-atlantike.

Ish diplomati i administratës së Presidentit Klinton, Riçard Holbrooke, figurë kryesore në arritjen e marrëveshjeve të Dejtonit që u dhanë fund luftimeve në Bosnje, paralajmëroi muajin e kaluar se gjendja në Kosovë nuk ishte e qendrueshme dhe se trupat e Natos do të duhet të qendrojnë atje për një kohë të pacaktuar nëse nuk përshpejtohen përpjekjet për një marrëveshje mbi statusin përfundimtar.

Zoti Holbrooke parashikoi se Kosova dhe në fund të fundit edhe Mali i Zi do të shkëputen nga Serbia dhe të bëhen të pavarura, por se nën një skenar të tillë Serbia do të ketë një të ardhme të ndritshme si anëtare e Bashkimit Evropian së bashku me pjesët e tjera të ish Jugosllavisë.

Gazeta Washington Post thotë se administrata e Presidentit Bush do të gërshetojë përpjekjet e saj diplomatike për Kosovën me një paralajmërim për Serbinë se zhvillimi i marrëdhënieve normale me Shtetet e Bashkuara dhe Naton varet nga kapja e ish udhëheqësve të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç.

XS
SM
MD
LG