Lidhje

Afaristët amerikanë në ndihmë të studentëve të administrim-biznesit


Fusha e studimeve tregëtare po bëhet çdo ditë e më e rëndësishme në shkollën e biznesit. Në Fakultetin e Administrimit, pranë Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles, sipërmarrës të suksesshëm u dhanë studentëve këshilla lidhur me hapjen e një biznesi.

Për studentët e fakultetit të administrimit, kjo është një kohë emocionuese. Bota e biznesit po ndryshon me hapjen e tregjeve të reja dhe me përdorimin e teknologjisë së re në fushën e prodhimit. 3 qind studentë u takuan kohët e fundit me sipërmarrës të suksesshëm, përfshirë Skot Ingrahamin, themelues i kompanisë Rent.com një shërbim për të dhënë apartamente me qira nëpërmjet internetit. Ai ia shiti kompaninë e tij gjigandit të internetit eBay, për më shumë se 400 milionë dollarë. I pranishëm ishte edhe Malkolm Briklini nga firma Visionary Vehicles, i cili dha mendimet e tij lidhur me hapjen e një biznesi. Ai ka bërë të mundur importin e disa lloj makinave në tregun amerikan. Tani ai po pregatitet të importojë një makinë të prodhuar në Kinë.

Xheremi Millo, një student biznesi në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, i cili ndihmoi në organizimin e takimit, thotë se këshillat e sipërmarrësve kishin diçka të përbashkët. “Asnjëherë mos u dorëzo, bëhu këmbëngulës dhe mundohu t’i përshtatesh gjendjes. Nuk dihet se si mund të shkojnë punët. Bëj një plan, por qëndro gati për ta ndryshuar sepse asnjë njeri nuk e di se çfarë sjell e nesërmja,” thotë studenti. Xheremi Millo ka në plan të fillojë një biznes mbas përfundimit të studimeve.

Partneri i tij, Mark Lebovic, thotë se kompania do të japë me qira pajisje elektronike. “Ne do të përqëndrohemi tek klientët me kredi të mirë, duke u vënë në dispozicion pajisje elektronike, me të cilat ata kërkojnë të mbajnë ritmin me teknologjinë më të fundit," thotë Lebovic.

Dora Karali, po studente, ka një ide të ndryshme për të filluar një biznes megjithëse dy ditë para konferencës ajo është bërë nënë. “Unë kam një ide mbi të cilën po punoj. Dua të ndërtoj një sistem pa fije me të cilin të kontrolloj të gjitha pajisjet elektronike në shtëpi,” thotë Dora.

Mark Lebovic thotë se biznesi që dëshiron të hapë me dy shokët e tij studentë kërkon planifikim të kujdesshëm. Ai shpjegon se dhënia me qira e pajisjeve elektronike është e vështirë sepse kostoja e prodhimeve të reja vazhdon të bjerë, kështu që është e vështirë të parashikosh vlerën e ardhëshme të një pajisjeje të përdorur.

Grupi i tyre është duke mbledhur të dhëna për të përcaktuar me përafërsi vlerën me të cilën do të shiten pajisjet e përdorura që është çelësi i këtij biznesi. Ai thotë se takimi me pronarët e bizneseve u ka dhënë ide dhe frymëzim. “Unë mësova se ajo që e bën një sipërmarrës të suksesshëm është dëshira dhe vullneti për të marrë parasysh rreziqet si dhe puna e vazhdueshme. Ata që kanë bërë tashmë këto hapa janë një frymëzim për ne që po mendojmë t’i hyjmë kësaj rruge,” thotë:ebovic.

Van Doren, studenti i tretë i këtij grupi, thotë se ata kanë nevojë për 1 milionë dollarë për të kthyer në relitet idenë e tyre, shumë e cila sipas tij është shumë më e vogël për të filluar një biznes me pajisje të teknologjisë së lartë.

XS
SM
MD
LG