Lidhje

Shefi i UNMIK-ut Jessen-Petersen dëshmon në Komisionin amerikan të Helsinkit


Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë ose Komisioni i Helsinkit i Shteteve të Bashkuara zhvilloi sot në Uashington një seancë dëshmish për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. Në seancën me titull: E ardhmja e të drejtave të njeriut në Kosovë dëshmoi shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe zoti Charles English, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit.

Dëshmia e zotit Soren Jessen-Petersen përmbante tone pozitive në përshkrimin e situatës.

Zoti Petersen tha se kohët fundit në Kosovë ka patur një sërë shenjash pozitive. Klima e sigurisë, e përmirësuar mjaft dhe e pasqyruar në mungesën e krimeve të mëdha vitin e kaluar, është një shenjë se nga dhuna e vitit të kaluar janë nxjerrë mësime dhe se shkelja e të drejtave të njeriut është kundër interesave të Kosovës.

Fakti që në Kosovë është ndërtuar një sistem krejt i ri nga boshllëku ligjor dhe adminsitrativ i pasluftës, tha kryeadministratori Petersen, ka ndihmuar që parimet e të drejtave të njeriut të vendosen në qendër të ligjeve të insitucioneve të Kosovës. Për këtë, janë formuluar ligje të reja penale në përputhje me standartet ndërkombëtare.

Shërbimi policor i Kosovës është plotësisht multietnik, tha zoti Petersen. Trupat mbrojtëse të Kosovës vazhdojnë përpjekjet për të tërhequr më shumë pjesëtarë nga pakicat, sidomos nga serbët e Kosovës.

Insititucioneve të përkohëshme të vetëqevrisjes po u jepen gjithnjë e më tepër përgjegjësi, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Zoti Petersen tha se pas nje periudhe amullie të përkohëshme, tani në Kosovë ka ardhur momenti i duhur për shtyrjen përpara të procesit të statusit dhe se ky proces po përshpejtohet nga bashkësia ndërkombëtare.

Zoti Petersen tha se trajtimi dinjitoz i aktpadisë së Gjykatës së Hagës kundër ish-kryeminisitrit Ramush Haradinaj theksoi edhe një herë nivelin e ri të pjekurisë së shoqërisë dhe institucioneve kosovare.

Zoti Petersen tha se në Kosovë mbetet ende shumë për t’u bërë, për shembull kur është fjala për lirinë e lëvizjes: ka shumë serbë të Kosovës që lëvizin lirisht, tha ai, por ka edhe nga ata që nuk e kanë këtë liri.

Zoti Petersen foli edhe për çështjen e personave të zhdukur, që sipas tij ka dëmtuar rivendosjen e marrëdhënieve normale mes UNMIK-ut dhe Qeverisë së Serbisë, por ai shtoi se kohët e fundit është bërë përparim për këtë çështje.

Ai e përshëndeti deklaratën e Nënsekretarit amerikan të Shtetit, Nicholas Burns për Kosovën javën e kaluar dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të vazhdojnë të qëndrojnë të angazhuar në Kosovë.

Në Senat dëshmoi sot edhe zoti Charles English, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin amerikan të Shtetit. Zoti English tha se 2005-a është vit vendimtar për statusin e Kosovës dhe se së shpejti do të fillojë një proces për përcaktimin e statusit të saj.

Shtetet e Bashkuara mendojnë se Kosova ka hyrë në rugën e duhur, tha zoti English por populli i Kosovës, shtoi ai, duhet të vazhdojë pa pushim përpjekjet, për t’u siguruar që atje të ketë institucione transparente dhe që sistemi ligjor të jetë i drejtë. Përkushtimi ndaj demokracisë, që bazohet në sundimin e ligjit, tha zoti English, është kriteri bazë për t’u anëtarësuar në bashkësinë euroatlantike. Dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për arritjen e këtij objektivi, tha ai.

Senatori Sam Brownback, anëtar i Komisionit amerikan të Helsinkit, tha se shumë udhëheqës shqiptarë, për fat të keq, nuk e kuptojnë ende se respektimi i të drejtave të pakicave nuk është një alternativë, por një kërkesë e domosdoshme. Edhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve Chris Smith, u bëri thirrje shqiptarëve të respektojnë të drejtat e pakicave, ashtu siç do të dëshironin të respektoheshin të drejtat e veta.

Shefi i UNMIK-ut, Jessen Petersen erdhi në Uashington në prag të raportit që do të mbajë të premten në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, një raport i rëndësishëm i cili do të ndikojë në hapat e mëtejshëm që do të ndiqen për statusin përfundimtar

XS
SM
MD
LG