Lidhje

Votuesit francezë hedhin votat për kushtetën e re të BE


Një numër i madh votuesish francezë morën pjesë në referendumin e së dielës, i cili mund të përcaktojë fatin e projekt-kushtetutës së Bashkimit Evropian. Në orët e para të pasdites zyrtarët francezë thanë se pjesëmarrja ishte në mbi 60 për qind. Anketat e opinionit të zhvilluara para referendumit tregojnë epërsinë e kundërshtarëve të dokumentit, por gjithashtu tregojnë se afro 20 për qind e votuesve ende nuk kishin vendosur nëse do të hidhnin votë pro apo kundër kushtetutës. 42 milionë francezë kishin të drejtën për të hedhur votën në këtë referendum. Politikanët e BE-së shqetësohen se francezët mund të jenë evropianët e parë që votojnë kundër këtij dokumenti. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant bisedoi në Paris me disa votues francezë të cilët kishin dalë në qendrat e votimit për të marrë pjesë në referendum:

Banorët e lagjes 19 në pjesën veriore të Parisit arritën në grupe të vogla në qendrën e votimit për të hedhur votat në referendumin për kushtetutën e re evropiane. Richard Graf, një punonjës në sektorin shtetëror, ishte një ndër votuesit në këtë zonë: "Votova pro kushtetutës," thotë zoti Graf. Ai mendon se kushtetuta do të forcojë demokracinë në Evropë dhe do ta ndihmojë këtë kontinent të bëhet një kundërpeshë më e fuqishme politike ndaj Shteteve të Bashkuara.

Por shumë votues të tjerë në këtë zonë thanë se votuan kundër dokumentin. Ndër ta ishte edhe 68-vjeçari Antoine Chiasso. "Kushtetuta ishte shumë e ndërlikuar dhe e vështirë të kuptohej, thotë zoti Chiasso. Dokumenti kishte shumë faqe, gjë që e bënte të vështirë të votoje pro apo kundër saj. Politikanët janë përpjekur të shpjegojnë përmbajtjen e saj, thotë votuesi, por argumentet e tyre nuk më kanë bindur. Prandaj votova kundër, në mënyrë që të ruhet statu-kuoja," tha zoti Chiasso.

Herve Falloux, i cili po qëndronte pranë bashkisë me vajzën e tij 1 vjeç e gjysëm, tha gjithashtu se do ta kundërshtonte kushtetutën: Zoti Falloux kritikon traktatin duke e cilësuar si të anuar së tepërmi nga liberalizimi i ekonomisë dhe tregu i lirë. Ai është aktor me profesion dhe shqetësohet se projekt-kushtetuta dobëson mbështetjen për filmin evropian.

Kushtetuta duhet të ratifikohet nga të 25 vendet anëtare të Bashkimit Evropian përmes një vote në parlament ose përmes një referendumi popullor në mënyrë që të hyjë në fuqi. Teorikisht, qoftë edhe kundërshtimi i një vendi të vetëm ndaj këtij dokumenti do ta eliminonte projekt-kushtetutën, megjithëse disa analistë thonë se mund të ketë metoda për ta shpëtuar atë.

Disa anketa para votimit të sotëm tregojnë se shumica e francezëve e kundërshtojnë projekt-kushtetutën. Por një përqindje e konsiderueshme, afro 20 për qind e shtetasve me të drejtë vote, ishin të pavendosur. Politikanët që e mbështesin dokumentin, përfshirë edhe presidentin Zhak Shirak, shpresojnë se votuesit e pavendosur do t’i sigurojnë miratimin kushtetutës, megjithë rezultatet dekurajuese të anketave.

XS
SM
MD
LG