Lidhje

Zonja e Parë amerikane në mbrojtje të të drejtave të grave


“Liria, veçanërisht liria për gratë, është shumë më tepër se mungesa e shtypjes”, tha zonja e parë Laura Bush në një fjalim në Forumin Ekonomik Botëror në Jordani. “Ajo është e drejta për të folur, për të votuar dhe për të praktikuar fenë lirisht. Të drejtat e njeriut kërkojnë të drejta për gratë. Dhe të drejtat e njeriut”, tha zonja Bush, “janë premtime të kota pa liritë humane”.

Gjatë viteve të fundit gratë në Afganistan kanë fituar liri të shumta. Nën Talebanin, gratë afgane e kishin të ndaluar të ndiqnin shkollën, të punonin apo të merrnin pjesë në shoqëri. Por që kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i përmbysi talebanët, më shumë se dy milionë vajza afgane kanë shkuar përsëri në shkollë. Edhe gratë afgane po shkojnë përsësi në shkolla për të dhënë mësim si mësuese. Gratë afgane po marrin gjithashtu pjesë në jetën politike. Një grua vuri kanditurën për zgjedhjet presidenciale në tetor të vitit 2004. Tetë milionë afganë votuan në ato zgjedhje dhe 40 përqind e tyre ishin gra.

Në Marok, më shumë se një milionë gra i bënë peticion qeverisë që të reformonte kodin e familjes, ose Moudawana, për të garantuar se gratë kanë të drejta të barabarta ligjore me burrat në lidhjet martesore dhe çështje të tjera familjare.

Nën mbretin Mohammedi i Pestë, në Marok është miratuar një kod i ri ligjor, që tregon se vlerat islame janë në përputhje me të drejtat universale të njeriut. Por shumë gra në Lindjen e Mesme ende ndeshen me dhunën dhe paragjykimet. Dhe shumë prej tyre vazhdojnë ende të jetojnë me frikë, të ndrydhura në shtëpitë e tyre, tha zonja e parë Laura Bush.

Megjithatë, tha ajo, Shtetet e Bashkuara janë optimiste se ndryshimet demokratike eventualisht do të përhapen dhe do të sjellin me vete edhe të drejtat për gratë. “Hapi i këtyre përparimeve do të ndryshojë nga një vend në tjetrin. Por ne shikojmë shenja shprese në shumë vende. Ne besojmë se një ditë, çdo familje do të jetë e vetëdijshme për dinjitetin që sjell liria”. “Pa gratë”, tha zonja e parë Laura Bush, “qëllimi i demokracisë dhe paqes nuk mund të arrihet. Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, dhe përpjekjet për të avancuar të drejtat e njeriut janë përgjegjësi e të gjithë njerëzimit”.

XS
SM
MD
LG