Lidhje

Televizionet shqiptare përmirësojnë pasqyrimin e fushatës zgjedhore


Radiot dhe televizionet publike e private në Shqipëri po i balancojnë gjithnjë e më tepër materialet e tyre që pasqyrojnë fushatën e partive politike për zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut.

Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit (ACAC) publikoi sot në një konferencë shtypi së bashku me kolegë të instituteve të specializuara, rezultatet e monitorimit të lajmeve për gjysmën e parë të qershorit në 10 televizione, 4 radio dhe 6 gazeta.

Nga vëzhgimi doli se ato janë duke i zbutur diferencat e mëdha kohore mes forcave politike që u vunë re në fundin e majit. Sipas raportit, minutazhi për lajmet e qeverisë në pjesën më të madhe të mediave ka rënie, por ka edhe disa media që për Partinë Socialiste raportojnë lajme në më pak kohë se sa për qeverinë.

Ndërkaq, Radio-televizioni publik (RTSH) vazhdon të jetë larg raportimit të balancuar, duke mbështetur qeverinë dhe PS, megjithë ndryshimet pozitive që u vunë re. Nga vëzhgimi ka dalë se TeleArbëria (TVA) dhe TV Koha kanë bërë një progres të madh duke arritur në një raportim pothuajse të balancuar, pas njëanshmërisë së konstatuar më parë.

Në përpjekje për të balancuar minutazhet, pjesa më e madhe e tv kanë filluar të transmetojnë programe speciale pas lajmeve, ndonëse vlerësohet se pesha e tyre nuk është e njëjtë me emisionet informative.

Vëzhguesit kanë vënë re një rritje të raportimeve për Lwvizjen Socialiste pwr Integrim (LSI), ndërsa kandidateve gra për deputete ende u jepet një hapësirë shumë e vogël kohore.

Në televizione kandidateve gra u është lejuar vetëm 2% e minutazhit të përgjithshëm politik, kundrejt 98% për politikanët burra, ndërsa në radio dhe gazeta femrave politikane u është ndarë vecse 5% e hapëisrës. Monitoruesit e Koalicionit Shqiptar Kundër Korrupsionit (ACAC), Qendrës për Transparencë dhe Liri Informacioni, (CTFI) dhe Institutit të Sondazheve dhe Opinioneve (ISO) të mbështetur nga USAID, NDI dhe Ambasada Britanike pohuan se monitorimet e tyre jo vetëm nuk janë kundërshtuar, por ato po ndikojnë në përmirësimin e punës së mediave gjatë fushatës zgjedhore.

XS
SM
MD
LG