Lidhje

Shqipëri: KQZ-ja u bën thirrje partive politike që të mos ndryshojnë anëtarët e komisioneve zonale


Në Shqipëri komisioni qendror i Zgjedhjeve i ka bërë sot thirrje partive politike që të mos ndryshojnë anëtarët e tyre në Komisionet zgjedhore Zonale tani që ka përfunduar trajnimi i tyre. Kryetari Ilirjan Celibashi deklaroi se një ndryshim masiv veçanërisht afër ditës së votimit do të vërë në vështirësi administrimin e procesit zgjedhor. Pas shumë e shumë percipecish, afatesh të shtyra e të parespektuara, më në fund komisioni qendror i zgjedhjeve arriti të mbyllë procesin e trajnimit të anëtarëve të Komisioneve zonale, roli i të cilëve do të jetë kyç në këtë proces zgjedhor.

Duke qenë se numërimi i votave nuk do të bëhet më në qendrat e votimit por pranë komisioneve zonale, këta anëtarë janë përgjegjës për mbarëvajtjen dhe mbikqyrjen edhe për procedurat e numërimit të votave dhe shpalljen e rezultateve.

Përfundimi i trajnimit megjithatë nuk do të thotë se kjo çështje është e mbyllur. Ligji lejon ndryshimin e tyre nga ana e partive edhe dy orë para nisjes së votimit. Për këtë arsye tashme gjithshka mbetet në dorën e partive për të evituar problemet që mund të shkaktojë zëvendësimi i anëtarëve të Komisioneve zonale.

Nisur pikërisht nga ky rrezik kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi iu drejtua sot me një thirrje të gjitha forcave politike që kanë emëruar anëtarët e tyre:

“Do t’u luteshim partive që kanë anëtarë në këto komisione që të mos bëjnë ndryshimin e komisionerëve sepse përndryshe të gjithë personat që do të emëroheshin në detyrën e anëtarit të komisionit të zonës nuk do të kenë mundësi për të marrë njohuri shtesë qëlidhen me interpretimet apo sqarimet e dispozitave të kodit zgjedhor pasi tashmë ky proces është i mbyllur. Ndryshimi i tyre sidomos në mënyrë masive veçanërisht afër ditës së zgjedhjeve do të krijojë probleme për administrimin e procesit zgjedhor”.

Po sot, krejt papritur dhe çuditërisht në të njëjtën ditë, udhëheqësit e dy forcave kryesore kryetari socialist Fatos Nano dhe kryetari demokrat Sali Berisha janë shfaqur në shtypin e përditshëm me postera të veçantë duke i bërë thirrje njëri tjetrit për organizimin e një debati televiziv.

Secili akuzon kundërshtarin e vet se po i shmanget debatit. Kryetari socialist Nano shfaqet në një fotografi ku ka përballë një poltronë bosh. Fotografia shoqërohet vetëm me pak fjalë dhe ftesën per debat. E njëjta ide edhe në posterin e zotit Berisha ku akuzohet kryeministri se nuk ka kthyer përgjigje për debatin por shan dhe fyen rrugëve në vend që të përballet me kryetarin demokrat.

XS
SM
MD
LG