Lidhje

Robert Benjamin: Procesi i numërimit të votave mund të zgjatet


Një zyrtar i Institutit Demokratik Kombëtar këtu në Uashington, thotë se gara zgjedhore në Shqipëri është shumë e fortë dhe mund të shohim zgjatjen e procesit të numërimit të votave gjë që mund të çojë në rritjen e temperaturës politike. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Robert Benjamin, drejtor rajonal i kësaj organizate për Evropën Lindore, tha se ka rëndësi që Shqipëria të tregojë se është në gjendje ta kalojë ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas saj në mënyrë të qetë dhe të moderuar.

Zëri i Amerikës: Pas një numri zgjedhjesh që ka kaluar Shqipëria pas komunizmit, a ka arritur ajo në një fazë kur mund të zhvillojë zgjedhje të drejta e të lira?

Robert Benjamin: Ne të gjithë e pranojmë se në zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri ka patur mangësi të rëndësishme përsa i përket listës së votuesve dhe aftësisë për të zhvilluar zgjedhje të qeta. Mendoj se në zgjedhjet e tanishme ka si shenja pozitive ashtu edhe aspekte ku mund të bëhen përmirësime. Shenjat pozitive janë në zhvillimin e grupeve të shoqërisë civile që marrin pjesë në proces, në aftësinë e partive politike për të shpjeguar se në ç’drejtim duan ta çojnë vendin. Shikojmë gjithashtu një rol më të fuqishëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përsa i përket trajtimit të disa aspekteve të diskutueshme si listat e votuesve dhe kjo ka rëndësi. Shqipëria ende mbetet një mjedis i polarizuar dhe ne shpresojmë se partitë politike do të bëjnë ç’është e mundur që procesi elektoral të jetë i qetë dhe të shënojë një hap të shëndoshë për Shqipërinë. Është populli shqiptar ai që do të vendosë se sa të ndershme do të jenë këto zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Qindra vëzhgues të huaj dhe shumë vëzhgues vendas do të monitorojnë këto zgjedhje. Çfarë probleme prisni që të ketë vëzhgimi?

Robert Benjamin: Pa dyshim që në ditën e zgjedhjeve dhe gjatë numërimit të votave do të ketë më tepër vëzhgues se sa ka patur më parë. Vëzhguesit do ta përqendrojnë vemendjen te procesi i votimit, tek verifikimi i emrave, tek trasportimi i kutive të votimit nga qendrat e votimit tek qendrat e numërimit dhe do të jenë të pranimshëm ndërkohë që bëhet numërimi. Ka mundësi që procesi i numërimit të votave të zgjatet për shkak të problemeve logjistike prandaj vëzhguesit do të pozicionohen në mënyrë të tillë që të garantojnë një proces numërimi pa probleme dhe të theksojnë mesazhin se partitë politike dhe votuesit duhet të tregohen të duruar në pritje të rezultateve.

Zëri i Amerikës: Lidhur me këto zgjedhje janë bërë një numër anketash, të cilat kanë gjeneruar kritika të ndryshme në opinionin shqiptar. Sa mund të mbështetemi në anketa të tilla?

Robert Benjamin: Këto lloj anketash janë diçka e re për Shqipërinë. Ka rëndësi të theksohet se ashtu si me anketën që bëmë ne në muajin prill, pra 2 muaj e gjysmë para zgjedhjeve, sondazhet nuk janë parashikime për rezultatin e zgjedhjeve. Ato thjesht japin një ide se çfarë mendojnë votuesit për zgjedhjet. Arësyeja që ne e zhvilluam anketën tonë ishte pikërisht kjo: pra të ndihmonim partitë politike por edhe të tjerët që të kuptonin se çfarë mendonin votuesit, cilat ishin çështjet më të rëndësishme për ta si dhe t’ua komunikojnë këto votuesve. Sondazhi tregoi se votuesit ishin të interesuar për çështjet politike, për problemin e papunësisë, për infrastrukturën, duke kërkuar që partitë politike të gjejnë zgjidhje konkrete për këto çështje shumë komplekse me të cilat përballet sot Shqipëria. Mendoj se sondazhet janë shumë të dobishme në këtë kuptim sepse lejojnë që partitë të kuptojnë më qartë se ç’farë thonë votuesit në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Ç’mendoni për anketat menjëherë pas votimit. A do të ishte kjo një ide e mirë për Shqipërinë?

Robert Benjamin: Mendoj se anketat me njerëzit që sapo kanë dalë nga qendrat e votimit janë diçka për të cilën duhet të vendosin vetë shqiptarët. Këto lloj anketash nuk kanë aq besueshmëri sa ç’mendojnë shumë analistë sondazhesh. Në fund të fundit çështja është që votuesit të marrin vendimin e tyre përpara kutisë së votimit. Mendoj se më shumë rëndësi ka fakti se si do të shkojë procesi zgjedhor, si do të shkojë procesi i numërimit të votave dhe sa në gjendje do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatet.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë shqetësim për periudhën menjëherë pas zgjedhjeve në rast se atje ka kontestime dhe ankesa të shumta? Pra si do të zgjidhen ato?

Robert Benjamin: Gara është shumë e fortë. Por do të jenë votuesit shqiptarë që do të vendosin se kush do ta drejtojë vendin. Pas përfundimit të zgjedhjeve ne mund të shohim zgjatjen e procesit të numërimit të votave. Do të ketë ndoshta shqetësime nga njerëzit se rezultatet nuk po numërohen me shpejtësinë e duhur dhe temepratura politike mund të rritet si pasojë e kësaj. Mendoj se është shumë e rëndësishme që partitë politike të marrin masa për të siguruar se procesi do të shkojë mirë dhe se vëzhguesit do të jenë aty për të ndihmuar numërimin. Mendoj se ka rëndësi që Shqipëria të tregojë se është në gjendje ta kalojë ditën e zgjedhjeve dhe periudhën pas saj në mënyrë të qetë dhe të moderuar. Kjo ka rëndësi jo vetëm për një proces të mirë zgjedhor por edhe për atë që vjen pas zgjedhjeve – si formimi i qeverisë dhe i parlamentit si dhe sfidat e shumta me të cilat do të përballet qeveria e re për zgjidhjen e problemeve.

XS
SM
MD
LG