Lidhje

Një gjykatë e Kosovës dënon tre shqiptarë për prostitucion


Tre qytetarë të Shqipërisë u dënuan me dënimet më të rënda të dhëna nga një gjykatë e Kosovës, në lidhje me trafikimin e qënieve njerëzore. Administrata Ndërkombëtare në Kosovë bëri të ditur sot se të tre të akuzuarit, u dënuan për lehtësim të prostitucionit, dhunim dhe akuza të tjera. Dy femra, njëra nga të cilat ishte vetëm 16 vjeç, u shpëtuan nga policia, në një bar të Prizrenit, ku edhe u arrestuan të tre personat.

Një gjykatë rajonale në Kosovë ka dhënë dënimet më të larta për trafikantë të qënieve njerëzore. Gjykata rajonale e Prizrenit, dënoi tre qytetarë të Shqipërisë, me burgim, për përfshirje në trafikun e qënieve njerëzore, dhe akuza të tjera që lidhen me këtë.

Administrata Ndërkombëtare në Kosovë njoftoi spt se në një paneli i gjykatës, i përbërë nga dy gjykatës ndërkombëtarë dhe një nga Kosova, dënoi Vladimir Ukaj dhe Robert Sylaj, me nga 12 vjet burg dhe një të tretë të quajtur Sabri Islami me 10 vjet burg. Këto dënime janë më të lartat që janë dhënë ndonjëherë në Kosovë në ndonjë rast që lidhet me trafikimin e qënieve njerëzore.

Të akuzuarit u dënuan për 11 nga 12 akuzat e ngritura kundër tyre nga prokuroria publike ndërkombëtare në Prizren. Akuzat përfshijnë trafikim të qënieve njerëzore, dhunim, lehtësim prostitucioni dhe fallsifikim dokumentash zyrtare. Hetimet ndaj tyre patën filluar në fund të vitit 2003 kur policia ushtarake e KFOR-it, kishte vënë re veprimtari të dyshimtë në një kafe bar të quajtur Pashtriku në Prizren.

Hetimet më pas u bënë nga një njësi e UNMIK-ut për trafikimin e qënieve njerëzore me seli në Prizren. Gjatë hetimit, dy femra shqiptare, njëra prej të cilave 16 vjeç, u identifikuan dhe u shpëtuan nga policia. Të dyja ishin sjellë në Kosovë të joshura me premtime të pavërteta për punë të ligjshme. Të tre personat e dyshimtë në bar u arrestuan dhe kafe bar Pashtriku, është mbyllur me vendim të gjykatës në Prizren.

Në hetimet në këtë rast morën pjesë policia ndërkombëtare dhe oficerë të policisë së Kosovës, departmaneti i drejtësisë, prokuroria publike e Prizrenit dhe policia ushtarake e KFOR-it. Trafikimi i qënieve njerëzore vazhdon të mbetet problem në Kosovë, megjithë përpjekjet që bëhen për ta luftuar atë.

XS
SM
MD
LG