Lidhje

Sundimi 23 vjeçar i mbretit Fahd


Sundimi i mbretit Fahd të Arabisë Saudite do të mbahet mend si një periudhë transformimi, gjatë së cilës mbretëria e pasur me naftë u kthye në një vend modern dhe me ekonomi të konsoliduar. Ndërkohë lidhjet e forta të Mbretit me Shtetet e Bashkuara mund të kenë kontribuar tek shkallëzimi i ekstremizmit islamik dhe terrorizmit.

Mbreti Fahd sundoi në Arabinë Saudite për 23 vjet dhe dha kontributin e tij për ta shndërruar Mbretërinë në një fuqi globale ekonomike. Lidhjet e tij të ngushta me udhëheqës perëndimorë dhe fakti që vendi i tij i tij ishte aq i pasur me naftë e bëri atë një nga udhëheqësit më me ndikim të rajonit.

Ish-ndihmës sekretari i shtetit për Çështjet e Lindjes së Afërt, David Mack thotë se ish-udhëheqësi saudit do të mbahet mend si një mik i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara që dha ndihmë të çmuar për luftën në Irak dhe përpjekjet për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.“Ai ishte një aleat kryesor i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e Kuvajtit në krizën e viteve 1990-1991. Ai ishte aleat i Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për procesin e paqes në vitet 1990-1991. Po ashtu ai ka qenë gjithnjë në favor të marrëdhënieve të forta mes Arabisë Saudite dhe kompanive të mëdha të naftës, përfshirë ato amerikane”.

Këto lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara shkaktuan shumë zemërim mes sauditëve dhe sollën si rezultat sulme terroriste kundër objekteve amerikane në Arabinë Saudite. Një hemoragji cerebrale që pësoi në vitin 1995, e detyroi Mbretin Fahd të hiqte dorë nga shumë angazhime, duke mbetur një figurë simbolike në Mbretëri.

Monarku i ri, ish-princi i Kurorës Abdullah, ka qenë praktikisht që nga ajo kohë udhëheqësi i Arabisë Saudite dhe ka drejtuar luftën e vendit kundër ekstremizmit islamik. Ai luajti gjithashtu një rol aktiv për zbatimin e politikave të jashtme dhe të brendshme.

Ambasadori saudit në Britani, princi Turki al-Faisal tha se duke patur parasysh të gjitha këto zhvillime, tranzicioni do të bëhet në qetësi. “Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim thelbësor politikash, por një vazhdimësi e politikave të Mbretit Fahd”.

Me anë të një deklarate, Presidenti i Shteteve të Bashkuara shprehu dje keqardhjen e thellë për vdekjen e Mbretit Fahd dhe tha se shpreson që partneriteti i ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG