Lidhje

Filma që sjellin intrigë, sekrete, polemika dhe magji përrallash


Filmat për të cilët flitet më poshtë sjellin para jush intrigë, sekrete, polemika dhe në fund magjinë e disa prej përrallave me të cilat shumë prej nesh janë rritur. Këto filma në një mënyrë apo një tjetër, kanë një ngjashmëri të rastësishme dhe të dhimbshme me realitetin, sjellin në ekranin e madh libra që kanë tërhequr miliona lexues, si edhe dy autorë të dashur.

Katër vëllezër

Yjet e filmit të ri Four Brothers, Katër vëllezër, e pranojnë se donin me çdo kusht të ishin protagonistë të dramës së regjisorit John Singleton. Filmi rrëfen historinë tek katër vëllezër të adoptuar, dy të bardhë dhe dy zezakë që bashkohen për të marrë pjesë në funeralin e së ëmës. Bobby interpretohet nga Mark Wahlberg, Angel nga Tyrese Gibson, ndërsa Jack nga Garret Hedlund. Vëllai i katërt Jeremiah interpretohet nga Andre Benjamin, që ju mbase mund ta njihni më mirë si Andre 3000, këngëtari i suksesshëm i grupit Outcast, për të cilin ky është roli i parë në ekranin e madh. Ndërsa përpiqen të gjejnë vrasësin e së ëmës në Detroit të Miçiganit, vëllezërit arrijnë të kuptojnë se mënyrat shpesh jo të drejta të zgjidhjes së problemeve, sjellin pasoja të tmerrshme. Wahlberg pranoi të merrte më pak para se zakonisht, vetëm për të interpretuar në film, pasi thotë se mezi priste të luante një rol serioz. Për aktorin Tyrese Gibson nuk ishte problem të merrte rolin, pasi ai ka interpretuar në tre filma të tjerë të regjisorit Singleton. Ai madje e pranoi ofertën, pa e lexuar fare skenarin. Filmi Katër Vëllezër, fillon të shfaqet sot në kinematë amerikane.

Hakmarrja

Shpesh filmat imitojnë realitetin. Por në rastin e filmit V for Vendetta, Hakmarrja, skenat e filmit u realizuan para se të ndodhte ngjarja, ngjashmëria me të cilën është e dhimbshme. Në filmin e regjisorit James McTeigue, ngjarjet e të cilit janë vendosur në të ardhmen, Londra vihet në shënjestër të terrorizmit. Pas sulmeve të përgjakshme në kryeqytetin britanik, atij i është kërkuar që t’i heqë skenat që mund t’u sjellin ndërmend njerëzve ato sulme. Producenti i filmit, Joel Silver ka thënë se skenat nuk do të hiqen, por filmi do të redaktohet me kujdes, për të shmangur emocionet tronditëse mes shikuesve. Në film, aktorja Natalie Portman interpreton një grua të kapur nga policia sekrete, të cilën e shpëton një luftëtar i lirisë interpretuar nga Hugo Weaving. Luftëtari i maskuar, përdor taktika terroriste për luftuar shoqërinë shtypëse të një qeverie fashiste. Filmi pritet të shfaqet në kinematë britanike më 3 nëntor dhe në Shtetet e Bashkuara më 4 nëntor.

Kopshtari i përhershëm

Mesa duket Afrika po tërheq kohët e fundit vëmendjen jo vetëm në arenën politike, por edhe si subjekt artistik. Këtë e tregojnë filma që mbështeten në ngjarje reale, si Hotel Ruanda, apo të tjerë si The Interpreter, Përkthyesja, ku si vendi afrikan ashtu edhe një gjuhë e quajtur Ku, janë krijuar nga imagjinata e regjisorit dhe së fundi filmi The Constant Gardener, Kopshtari i Përhershëm, ngjarjet e të cilit zhvillohen mes Kenias dhe Britanisë. Skenari është bazuar në librin e suksesshëm të autorit John le Carre, me të njëjtin titull. Filmi i regjisorit Fernando Meirelles, u shfaq për herë të parë këtë javë në Manhattan. Aktivistja Tessa Quayle, e interpretuar nga aktorja britanike Rachel Weisz vritet brutalisht në një fshat të Kenias dhe burri i saj, diplomati i karrierës Justin, interpretuar nga Ralph Fiennes, vendos të zbulojë sekretet që mbështjellin vdekjen dhe të kaluarën e saj. Gjatë këtyre përpjekjeve ai zbulon krimet, që gruaja e tij ishte gati për t’i ekspozuar para se të vdiste dhe të vërtetën e një konspiracioni rrëqethës. Në film dallohet kontrasti mes pamjeve të pamata të Afrikës dhe këndeve të mprehta e zymtësisë së Londrës. Filmi fillon të shfaqet në kinema më 10 tetor.

Vëllezërit Grim

Shumë prej nesh e kanë mësuar artin e të fantazuarit dhe pasuruar imagjinatën prej fëmije me përrallat e Vëllezërve Grim. Mjafton të kujtojmë përrallën e Kësulëkuqes, rrëfyer brez pas brezi në qindra gjuhë. Tani vëllezërit Grim do të kenë fytyrën e aktorëve Matt Damon dhe Heath Lexher, në filmin e ri të titulluar pikërisht Vëllezërit Grimm. Filmi nuk është një biografi besnike, por një variant I zbukuruar, ku regjisori Terry Gilliam i imagjinon ata si banditë, por sigurisht banditë që janë artistë të fjalës. Aktorja italiane Monica Bellucci interpreton një mbretëreshë djallëzore që i drejtohet pasqyrës, pak a shumë si shtriga e borëbardhës. Tre aktorët morën pjesë në premierën e filmit në Los Angeles. Për Belluccin ishte udhëtimi i parë larg vajzës së saj 10 muajshe, Deva Cassel. Në kinematë amerikane filmi Vëllezërit Grim do të fillojë të shfaqet më 26 gusht.

XS
SM
MD
LG