Lidhje

SHBA: Familja Kolaj, në ndjekje të suksesit


Një numër jo i vogël shqiptarësh që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara, janë bërë afaristë apo specialistë të suksesshëm. Një familje shqiptare nga Kosova, pronare te restoranteve "Famous Famiglia", qe ka biznes ne 12 shtete te Amerikes, është një nga shembujt. Ditët e fundit ata e sollën biznesin e tyre edhe në pranë Washingtonit.

Ata kanë një biznes të suksesshëm, kryejnë vepra bamirësie dhe janë njujorkezë të vërtetë. Nuk janë shumë të bujshëm dhe thonë se gjëja më e mirë që mund të bëjnë për komunitetin shqiptar është që të kenë një emër të mirë, duke përhapur kështu emër të mirë edhe për shqiptarët e tjerë. Bëhet fjalë për vëllezërit Kolaj, pronarët e Famous Famiglia, një aktivitet i suksesshëm picerish me qendër në New York dhe i përhapur në 12 shtete të Amerikës. Këto ditë emri “Famous Famiglia” mbërriti edhe pranë Washingtonit.

“Këtë biznes e kemi filluar në 1986-ën, qysh 19 vjet të shkuara. Jemi katër vëllezër. Kemi pasur sukses të mirë. Kemi pasur mundësi me e rritë biznesin, me punëtorë dhe partnerë të mirë. Sot kemi 46 lokale në 12 shtete të Amerikës. Ky është lokali i parë në Washington. Jemi të kënaqur dhe shpresojmë të hapim edhe më shumë lokale në këtë vend”, thotë Palë Kolaj, president i kompanisë. Kjo kompani është ngritur nga katër vëllezërit Kolaj. Ai thotë se kur mendon sesi e kanë filluar aktivitetin, është mirënjohës që kanë arritur kaq shumë: “Ky vend jep shanse të vërtetë për çdo lloj populli. Amerika është vend emigrantësh. Jam i kënaqur se babai ynë ka pasur dëshirë të na sjellë në këtë vend për shans të vërtetë. Baba jonë na ka vdekur kur ishim të vegjël, ishte i ri nuk ka pasur mundësi të vijë këtu, por shyqyr zotit ne kemi mundësi të bëjmë diçka me jetën tonë dhe për të respektuar emrin e babait tonë dhe për të nderuar nënën tonë, sepse është grua e mirë dhe kjo është një nxitje e madhe”.

Vëllezërit Kolaj Ndoi, Pali, Gjoni dhe Gjergji dhe motra e tyre, Zoja, kanë lindur në Budisalc të Kosovës, por ëndrra e të atit, Pashk Kolaj, ishte që të vinin në Amerikë. Ai së bashku me gruan, Rozën, shkuan në fillim në Itali, ku fatkeqësisht vdiq pa e parë Amerikën. Roza me vështirësi i mbajti fëmijët dhe, më në fund, i solli në Amerikë në vitin 1970.

Gjon Kolaj thotë se për suksesin falenderon zotin dhe të atin, i cili saktrifikoi jetën e tij që ata të bënin një jetë më të mirë”. “Nëna ime është prova që çdo gjë është e mundur. Kur ajo erdhi këtu ishte në të tridhjetat me pesë fëmijë, nga të cilët më i vogli vetëm disa muaj. Dhe kjo tregon se nëse dëshiron diçka me gjithë shpirt, nëse punon me gjithë përpjekjet e tua, mund ta arrish. Dhe jeta jonë është prova për një gjë të tillë. Dhe ne duam të arrijmë akoma më shumë”. Vëllezërit Kolaj thonë se duan që suksesi i tyre të jetë afatgjatë dhe Pali thotë se filozofia e tyre nuk është vetëm të rrisin biznesit por edhe të ndihmojnë të tjerët dhe t’i japin komunitetit. Në fakt ata e kanë bërë traditë tashmë që t’u japin një pjesë të të ardhurava shoqatave bamirëse dhe të ndihmojnë në raste fatkeqësish të mëdha. Kështu bënë edhe me rastin e Katrinës: “Uragani Katrina pati efekt të madh, shumë njerëz humbën jetën dhe ekonominë. Ne kemi mbledhur rreth 40 mijë dollarë në restorantet tona..."

Gjon Kolaj është i lumtur për suksesin e deritanishëm dhe shpreson që kompania të zgjerohet edhe më shumë: “Jam vërtet i lumtur, sepse ka qenë një rrugë e gjatë për ne që nga Kosova, në një kamp në Itali dhe që të arrijmë më në fund në qendrën e pushtetit të botës, Uashington, DC. Pra, ne treguam se jemi kompani e fuqishme dhe vitin tjetër do të zgjerohemi edhe në vende të tjera”.Planet për zgjerim për këtë kompani me qarkullim 35 milionë dollarë në vit, përfshijnë 20 pika të mundshme shitjeje në Meksikë, kryesisht në aeroporte dhe një bashkëpunim deri në Hong-Kong. Por për ta treg tërheqës është Evropa dhe është e natyrshme që, në këtë kuadër, të mendojnë për Shqipërinë dhe Kosovën: “Ne kemi ndërmend të shtrihemi edhe në Evropë, në Shqipëri dhe në Kosovë, se, në fund të fundit, ne nga Kosova jemi. Një gjë e tillë do na jepte kënaqësi personale”.

Kjo, pra, është historia e suskesit të katër djemve që donin të çonin në vend ëndrrën e babait të tyre. Dhe duket se ia kanë arritur. //az//

XS
SM
MD
LG