Lidhje

Presidenti iranian vazhdon të këmbëngulë në thirrjet kundër Izraelit


Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad po vazhdon të këmbëngulë në thirrjen e tij për shkatërrimin e Izraelit, duke u bashkuar me mijëra demonstrues kundër Izraelit në një manifestim që u mbajt sot në Teheran, të quajtur “Dita e Jeruzalemit”.

Presidenti iranian nuk e përfilli dënimin nga komuniteti ndërkombëtar të thirrjes së tij në një konferencë kundër sionizmit, kur tha se Izraeli “duhet të fshihet nga harta”. Ai i tha agjencisë zyrtare të lajmeve iraniane IRNA, se komuniteti ndërkombëtar është i lirë të flasë, por fjalët e tij nuk kanë peshë. Ai tha se Izraeli shtyp palestinezët dhe pret që askush të mos e kundërshtojë atë. Presidenti Ahmadinexhad shtoi se fjalët e tij shprehin pikëpamjet e popullit iranian.

Në kontrast me këto deklarata, ambasada iraniane në Moskë, u përpoq t’i zbuste fjalët e zotit Ahmadinezhad, duke thënë në një deklaratë se ai nuk kishte patur si qëllim të shprehej me terma kaq të ashpra për të hyrë në një konflikt”.

Izareli ka bërë thirrje për dëbimin e Iranit nga Kombet e Bashkuara dhe shumë vende i kanë dënuar kategorikisht komentet e udhëheqësit iranian. Bota arabe dhe myslimane nuk kanë bërë komente për këtë çështje, por zyrtarë palestinezë dhe turq kanë shprehur kundërshtimin e tyre.

XS
SM
MD
LG