Lidhje

Ekspertë të klimës druhen se mbeturina karburantesh kanë filluar të ngrohin atmosferën e Tokës


Debatet e vjetra shkencore rreth mundësisë së ndryshimeve klimatike kanë përfunduar prej kohësh. Në vitin 2001, një grup ndërkombëtar shkencëtarësh arriti në përfundimin se djegia e karburanteve me bazë karboni ka rritur temperaturën mesatare të tokës me afro gjysëm grade celsius në 100 vitet e fundit.

Në Arktikun Perëndimor temperaturat mesatare janë ngritur në disa rajone me rreth 6 gradë Celsius. Në këtë zonë të stërmadhe nuk ka qënë asnjëherë e lehtë për të jetuar. Temperatuart në dimër arrijnë deri në minus 55 gradë Celsius. Krijesat në këtë zonë evoluan prej kohësh për të mbijetuar ekstremet. Tani ky rajon po ngrohet, gjë që të bën të mendosh se do ta bënte jetën më të lehtë. Por si do të ndikojë kjo tek speciet si karibu-ja, një lloj i veçantë dreri, që ka jetuar këtu për miliona vite? Një nga kopetë më të mëdha jeton në brigjet e lumit Porkupajn. Ky lloj migrimi përbën një nga ritmet e jetës në këtë rajon. Në fund të pranverës këto kafshë mblidhen në brigjet veriore të Alaskës nga ku fillon edhe jeta për to. Sipas të dhënave, rritja e temperaturave po ndikon tek këta banorë në rrugë mjaft delikate dhe serioze. “Kopeja e drerëve u shtua në maksimum në vitin 1989 me rreth 187 mijë. Që nga ajo kohë janë pakësuar në mënyrë konstante dhe tani kemi afro 12 mijë”, thotë një specialist.

Gjashtëdhjetë mijë kafshë u zhdukën. Pyetja që shtrohet është se çfarë nënkupton kjo. Mos vallë zhdukja e tyre është një cikël natyror, apo provë se speciet po përballen me rritjen e temperaturave. Për shumë njerëz këtu, nocioni se drerët karibu janë në rrezik, vë në pikëpyetje mbijetesën e tyre. Darius Elias është punonjës i rezervatit dhe pjesëtar i Guiç’n. Për afro 10 mijë vjet kjo popullsi ka mbijetuar këtë klimë duke marrë gjithçka të mundur nga toka. Por ky lloj dreri i veçantë është gjëja kryesore nga e cila varet mbijetesa e këtyre njerëzve. “Klima po ndryshon kaq shpejt dhe të vjetërit janë shumë të shqetësuar se drerët nuk do të jenë në gjendje të adaptohen me shpejtësinë e duhur dhe mund të zhduken. Zhdukja e tyre nënkupton edhe të ardhmen tonë”.

Ndryshime të mëtejshme mund të kenë ndikim më të madh në Arktikun Perëndimor se sa zhdukja e drerëve. Kjo është edhe arsyeja që zoti Artur mezi pret për të zbuluar nëse shtimi i temperaturës në rajon po ndikon tek pakësimi i kopesë së drerëve. Shpeshherë Arturi ka gjetur zona me ushqim të bollshëm për drerët por të braktisura prej tyre. Nga kurioziteti ai gjeti që tufa kishte migruar në zona të larta pavarësisht se gjetja e ushqimit atje është më e vështirë. Sipas zotit Artur, drerët po u largohen disa lloj krijesash që dalin nga këto larva, të cilat disa banorë i quajnë zogu i vërtetë i Alaskës, por që në të vërtetë janë mushkonja të mëdha. Kjo ka bërë që drerët të shkojnë drejt majave të maleve ku ajri i ftohtë pengon depërtimin e mushkonjave. Por si lidhet kjo me rritjen e temperaturave? Ditë të nxehta nënkuptojnë sezone të gjata për shtimin e insekteve. “Nëse redukton dhjamin që drerët konservojnë gjatë verës, redukton gjithashtu edhe numrin e të vegjëlve që lindin, dhe kështu shtohet numri i drerëve që vdesin. Të dy këto aspekte mund të ndikojnë në rënien e popullsisë së drerëve”, thotë zoti Artur.

Por edhe gjetja e ushqimit të mjaftueshëm në dimër po vështirësohet sepse rritja e temperaturave sjell më shumë dëborë. Drerët gërmojnë disa gropa në ditë në dëborë në kërkim të ushqimit, thotë ai: “Nëse përllogarit numrin e viteve të vështira, atëherë mund të arrish në përfundimin se koha ndërmjet këtyre viteve të vështira nuk është e mjaftueshme që kopetë e drerëve ta marrin veten dhe të shtohen”.

Darius Elias thotë se ka vende në planetin tonë që po të zhduken, do të zhdukin edhe banorët e këtyre vendeve. “Kultura Guiç’n, më e vjetra në Amerikë, lidhja me ekosistemin këtu është dhjetëra-mijëra-vjeçare, dhe nëse kjo zhduket, për mendimin tim do të çonte në zhdukjen e njeriut”. //az//

XS
SM
MD
LG