Lidhje

Pentagoni vlerëson marrëdhëniet ushtarake SHBA-Shqipëri

  • Ilir Ikonomi

Një zyrtar i Pentagonit i tha Zërit të Amerikës se marrëdhëniet ushtarake të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë të shkëlqyera. Alan VanEgmond, Drejtor i Programeve për Ballkanin dhe Eurorazinë tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë ende duke rishqyrtuar konceptin e bazave ushtarake statike në vende të ndryshme të botës. Zotin Van Egmond e intervistoi kolegu ynë Ilir Ikonomi.

Zëri i Amerikës: Si do t’i cilësonit marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë në fushën ushtarake?

Alan VanEgmond: Marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë sidomos në fushën ushtarake janë shumë të ngushta. Ne jemi partnerë në luftën kundër terrorizmit, po luftojmë krah për krah në Irak dhe në Afganistan dhe unë do t’i karakterizoja marrëdhëniet si të shkëlqyera.

Zëri i Amerikës: Shqipëria merr pjesë me trupa në Irak dhe Afganistan, por kontingjenti i saj është relativisht i vogël. A është kjo një prani thjesht simbolike?

Alan VanEgmond: Jo aspak. Ushtarët shqiptarë janë shumë, shumë të vlefshëm dhe po bëjnë një punë të shkëlqyer. Ata shërbejnë në fusha të specializuara apo si forca speciale gjë që është me rëndësi kritike për të gjithë operacionin.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ka një reformë ushtarake. Cilat janë objektivat e kësaj reforme?

Alan VanEgmond: Objektivat e reformës ushtarake në Shqipëri, ashtu si në shumë vende të tjera, përfshirë edhe vendin tonë, janë transformimi i ushtrisë në një forcë moderne që të reagojë me shpejtësi dhe shkathtësi dhe që t’u përgjigjet sfidave të tilla siç është terrorizmi, i cili përbën një sfidë pasi nuk është një rrezik konvencional por është mjaft i veçantë. Pra duhen transformuar forcat për të përballuar sfida të këtij lloji. Këtu nuk bëhet fjalë për një numër të caktuar trupash që duhet të ketë Shqipëria por një pjesë shumë e madhe e buxhetit të mbrojtjes të Shqipërisë shpenzohet për personelin. Ajo që kërkohet është që një pjesë gjithnjë e më e madhe e këtij buxheti të përdoret për modernizimin. Prandaj mendoj se ata me të drejtë po ndërmarrin hapa për të gjetur zgjidhje të reja që ushtria shqiptare të jetë relativisht e vogël por me cilësi të lartë.

Zëri i Amerikës: Armatimet dhe objektet e ushtrisë shqiptare janë mjaft të vjetëruara e megjithatë Shqipëria aspiron të hyjë në NATO. Nuk shihni një kontradiktë këtu?

Alan VanEgmond: Gjithnjë ekziston nevoja për të analizuar nëse disa armatime apo objekte dhe madje edhe doktrina ushtarake duhet të përshtaten në dritën e realiteteve të reja në botë. Dhe kjo është e vërtetë si për ne ashtu edhe për Shqipërinë. Ka pajisje të vjetra, ka shumë gjëra që duhen eliminuar dhe zëvendësuar dhe kjo është diçka e mirë sepse doktrina ushtarake në vitin 2005 është mjaft e ndryshme nga ajo që ishte 3-4 vjet më parë.

Zëri i Amerikës: Zyrtarët e administratës kanë thënë se dera e NATO-s për Shqipërinë është e hapur. A është ajo vërtet e hapur apo kërkesat për vendet e reja janë aq të larta saqë ato mund të mos i plotësojnë dot kërkesa të tilla?

Alan VanEgmond: Ekziston përshtypja sikur midis gjendjes ku ndodhet tani Shqipëria dhe asaj që duhet të arrijë ajo për t’u bërë anëtare e NATO-s ka një hendek tepër të madh dhe të pakapërcyeshëm. Ne nuk jemi aspak dakord me këtë pikpamje sepse dera e NATO-s është mjaft e hapur. Takimi i nivelit të lartë në vitin 2006 do të jetë për NATO-n, do të jetë në thelb për transformimin e NATO-s në një aleancë të re dhe të ndryshme e ndoshta shumë më të aftë për t’u përballur me sfidat e shekullit të 21. Së pari, NATO-ja duhet të realizojë unitetin e saj të brendshëm dhe pastaj, aty nga viti 2008, ne parashikojmë që NATO-ja të mund të shikojë mundësinë e pranimit të anëtarëve të rinj siç është Shqipëria, gjë që e lejon ate gjatë këtyre 2-3 vjetëve të ardhshëm të zhvillohet. Ajo është në rrugë të drejtë por vetëm se duhet të bëjë më shumë përparim.

Zëri i Amerikës: Uashingtoni i ve rëndësi të madhe luftës kundër terrorizmit. Ne e dimë se ekziston trafik armësh në kufirin midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. A po e vëzhgoni ju situatën?

Alan VanEgmond: Patjetër. Ky është një problem për të gjithë vendet e rajonit dhe këta vende po bashkëpunojnë mirë me njëri-tjetrin për ta luftuar atë. Ata po forcojnë programet e sigurimit të kufirit, po forcojnë bashkëpunimin me shërbimet e ruajtjes së kufirit dhe këto shërbime po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë të ministrive të brendshme se sa thjesht me funksione ushtarake. Pra ne po ndihmojmë që të lehtësohet edhe ky transformim. Kam besim se me një punë të tillë edhe këto probleme do të përballohen.

Zëri i Amerikës: Tani që Pentagoni thuhet se synon të transferojë bazat e tij ushtarake nga Evropa perëndimore drejt Lindjes, a po shqyrtohet edhe Shqipëria si një vend i mundshëm për ndonjë bazë të tillë?

Alan VanEgmond: Sigurisht që qeveria shqiptare e ka bërë të ditur se do të ishte e kënaqur të ofronte objekte dhe mbështetjen e saj dhe ne e mirëpresim një gjë të tillë. Këto çështje janë në shqyrtim e sipër në kuadrin e transformimit të ushtrisë amerikane që ajo t’i përgjigjet sa më mirë sfidave të shekullit të 21. I gjithë koncepti i bazave statike ku përqendrohen trupat në vetvete mund të mos jetë një koncept i përshtatshëm për të ardhmen. Prandaj ne po i shqyrtojmë të gjithë këta faktorë. Por ne e vlerësojmë shumë mbështetjen që ka dhënë Shqipëria për forcat tona të armatosura në shumë aspekte.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë një bazë të madhe në Kosovë, Kampin Bondstill. Ç'do të bëhet me këtë bazë pasi të jetë zgjidhur çështja e statusit?

Alan VanEgmond: Natyrisht, ne do ta shqyrtojmë këtë kur të vijë koha. Nëse kujtoni bazat tona të dikurshme në Bosnje, shumë prej tyre janë hequr pa lënë gjurmë sikur të mos kishin ekzistuar dhe ky është qëllimi ynë: të mos lemë pas gjurmë të mëdha. Por në rastin e Kampit Bondstill, ende nuk është marrë ndonjë vendim. Tani për tani ne jemi përqendruar tek nevoja për ta shtyrë Kosovën drejt së ardhmes.

Zëri i Amerikës: A është sipas jush i mjaftueshëm numri i trupave të KFOR-it tani që pritet të fillojnë negociatat?

Alan VanEgmond: Përsa i përket KFOR-it, ai po kalon nëpër një periudhë transformimi drejt konceptit të një force speciale që mendojmë se do ta bëjë atë më të shkathët dhe më të efektëshëm, më të aftë për të përballuar çdo problem që mund të lindë në Kosovë. Tani për tani ne jemi shumë të kënaqur lidhur me mënyrën se si po transformohet KFOR-i për nevojat e së ardhmes.

XS
SM
MD
LG