Lidhje

Tom Lantosh:  rezultati përfundimtar i negociatave për Kosovën do të jetë një shtet i pavarur


Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan Tom Lantosh thotë se sipas mendimit të tij, rezultati përfundimtar i negociatave për statusin e Kosovës do të jetë një shtet i pavarur. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, zoti Lantosh, numri dy i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, tha gjithashtu se nuk do të mbështeste një zgjidhje e cila nuk garanton barazi të plotë për pakicën serbe.

Zëri i Amerikës: Zoti Lantosh, ju keni qenë anëtari i parë i Kongresit amerikan që vizituat Kosovën dhe Shqipërinë në vitin 1990. Që atëhere, ndryshimet kanë qenë dramatike. A e kishit menduar se ndryshimet do të vinin kaq shpejt?

Tom Lantos: Natyrisht, unë kisha shpresat e mija por në fakt gjërat kanë ecur shumë më shpejt se sa mund të pritej. Megjithëse ende ka probleme, jam i shumë i kënaqur me mënyrën se si kanë ndryshuar gjërat në drejtimin pozitiv. Këto ndryshime janë meritë e popullit të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kongresmen, bisedimet për statusin e Kosovës do të fillojnë së shpejti. Çfarë prisni të ndodhë gjatë këtyre negociatave?

Tom Lantos: Unë mund t’ju them se cili do të jetë rezultati përfundimtar. Rezultati përfundimtar do të jetë një shtet i pavarur. Kryetari republikan i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, mku im i ngushtë Henry Hyde si dhe unë, kemi paraqitur me kohë një projektrezolutë që bën thirrje për këtë. Ne nuk presim që kjo të ndodhë nesër apo në muajt që vijnë por është shumë e qartë se nuk do të kalojë shumë kohë dhe do të ketë një shtet të pavarur. Pas kësaj, pas disa vjet përgatitjesh, ky shtet do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Përse mendoni se Kosova duhet të jetë e pavarur?

Tom Lantos: Kjo nuk është një periudhë kur një grup kompakt njerëzish që përfaqësojnë një popullsi të konsiderueshme, më të madhe edhe se sa disa vende evropiane si Estonia apo Luksemburgu, do të ishin të gatshme të jetonin nën kontrollin e një vendi i cili ka në thelb në shumicë etnike të ndryshme. Përshtypja ime është se megjithë që ekzistojnë probleme që duhen zgjidhur, Kosova do të jetë në gjendje të marrë rolin e saj të përgjegjshëm si anëtare e Bashkimit Evropian dhe pastaj edhe si anëtare e Natos.

Zëri i Amerikës: Disa vjet më parë ju keni paraqitur një projektrezolutë për pavarësinë e Kosovës. Përse ajo nuk është miratuar ende?

Tom Lantos: Sepse ende nuk është pjekur koha për kalimin e saj në Kongres. Për të kuptuar se si funksionon Kongresi amerikan, duhet patur parasysh se kur dikush ka një ide dhe vizion për arritjen e një objektivi, atëhere ai paraqet një rezolutë e cila përshkruan drejtimin në të cilin dëshiron që të ecin gjërat. Por në kushtet reale duhet kuptuar se duhen vite për atë arritur atje. Koncepti i paraqitjes së një rezolute nuk nënkupton aspak se brenda një viti kjo rezolutë do të materializohet. Kam përshtypjen se koha ka vërtetuar që pikpamjet e mija për Shqipërinë dhe për Kosovën kanë qenë jashtëzakonisht të sakta. Zhvillimet janë shumë konstruktive dhe unë besoj thellësisht se ashtu si edhe republikat e tjera që përbënin dikur ish Jugosllavinë, edhe Kosova do të fitojë statusin e një shtetit plotësisht të pavarur.

Zëri i Amerikës: Një çështje kritike në negociatat e ardhëshme është çështja e pakicave. Si do ta vlerësonit ju gjendjen e tyre?

Tom Lantos: Duhet të them se shumica etnike në Kosovë, shqiptarët e Kosovës do të duhet të bëjnë ç’është e mundur që t’i garantojnë pakicës serbe barazinë dhe të drejtat e plota si qytetarë: të drejtat fetare, të drejtat politike, të drejtën për shtypin e lirë dhe mediat elektronike, të drejtat e punësimit, të gjitha këto duhet të garantohen me çdo kusht. Unë nuk do të mbështesja një zgjidhje e cila nuk do të garantonte barazi të plotë për pakicën etnike serbe në Kosovë. Më lejoni të them edhe diçka tjetër. Këto ditë, disa prej nesh u takuan me komisionin e jashtëm të Dumës së Rusisë. Një nga deputetet e Dumës, një grua mjaft e zgjuar, na pyeti se cili është qendrimi ynë ndaj pakicave ruse në shtetet baltike. Unë kam qenë një nga përkrahësit më të fortë për pavarësinë e shteteve baltike nga Bashkimi Sovjetik dhe jam i kënaqur për faktin që sot Estonia, Letonia dhe Lituania janë shtete të pavarur dhe sovranë, anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të Natos. Por tani unë jam mbështetës i pakicave ruse në këto vende sepse këto pakica duhet të kenë të drejtën për të gëzuar të gjitha privilegjet ashtu si gjithë qytetarët e tjerë, përfshirë të drejtat gjuhësore dhe kulturore. Të njëjtin mendim kam edhe për serbët në një Kosovë të pavarur.

Zëri i Amerikës: Ç’mund të na thoni për të drejtat e pakicave në Mal të Zi, ku ju keni qenë disa herë?

Tom Lantos: Siç mund ta keni vënë re qartë deri tani, qendrimi im është i pandryshueshëm edhe në këtë çështje. Mendoj se Mali i Zi po zhvillohet në mënyrë impresionuese. Më pëlqeu vizita atje por më shqetësuan problemet që kishte pakica shqiptare e atjeshme. Prandaj në mënyrë të përsëritur, kam gjetur kohën për të komunikuar me qeverinë e Gjukanoviçit, duke theksuar angazhimin tim për barazi të plotë për pakicën shqiptare.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, qeveria e kryeministrit Sali Berisha është në fuqi që prej rreth 60 ditësh. Si do ta vlerësonit këtë qeveri?

Tom Lantos: Është tepër herët për të gjykuar rreth një qeverie pas 60 ditësh në pushtet. I uroj zotit Berisha shumë fat dhe shpresoj se do të jetë një qeveri e suksesshme.

Zëri i Amerikës: Mendohet se në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth gjysmë milioni shqiptarë. Si e vlerësoni kontributin e tyre për ta bërë Amerikën një vend më të mirë?

Tom Lantos: Komuniteti shqiptaro-amerikan ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë vend. Ata janë shumë punëtorë, kanë një angazhim shumë të fortë për ta çarë vetë rrugën e tyre në këtë shoqëri, e cila u ka dhënë të gjitha shanset ashtu si edhe të gjitha komuniteteve të tjera. Unë jam takuar me grupe shqiptare në shumë pjesë të vendit dhe gjithmonë habitem kur shikoj se sa qytetarë të përgjegjshëm dhe të vlefshëm janë ata. Jemi shumë me fat që i kemi ata.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët njihen për faktin se kanë familje me shumë fëmijë. Nëse nuk gaboj, ju dhe gruaja juaj Annette keni 16 nipër e mbesa. Çfarë ndikimi kanë ata në jetën tuaj si anëtar i Kongresit?

Tom Lantos: Ata janë gëzimi i jetës sime. Dhe po më pyesni taman në kohën e duhur sepse megjithëse s’besoj se do të kemi nipër e mbesa të tjerë, para fundit të këtij muaji do të bëhemi me stërnipin e parë. Fakti që shqiptaro-amerikanët kanë familje të mëdha është një nga arësyet e forcës së këtij komuniteti dhe unë i përgëzoj për këtë.

XS
SM
MD
LG