Lidhje

Transplantimi i fijeve nervore: Nikotina dhe duhani pa tym


Transplantimi i fijeve nervore

Mjekët në spitalin e universitetit Johns Hopkins afër Uashingtonit kryen një operacion të rrallë transplantimi të fijeve nervore nga nëna tek djali i saj 19 vjeçar për riaktivizimin e krahut të djathtë që ai e kishte dëmtuar rëndë gjatë një aksidenti. Shkencëtarët thonë se transplantimi i fijeve nerovore tani nuk është më diçka e rrallë dhe gjithnjë e më shumë njerëz të gjymtuar, po rifitojnë aftësinë e përdorimit të tyre. Një rast i tillë është ai i 19 vjeçarit Nik Anderson, tani me fije nervore të transplantuara në krah. Zyrtarë të spitalit universitar Johns Hopkins thonë se operacioni zgjati 6 orë dhe çdo gjë shkoi mirë. Ata shpresojnë që brenda pak muajve të shohin shenjat e para të suksesit.

Nik Andersoni u plagos rëndë në dorën e djathtë në dhjetor të vitit 2004 gjatë një aksidenti ku ai humbi edhe këmbën e majtë deri poshtë gjurit. Krahut të tij i mungon kyçi i brylit dhe dy – tre fije kryesore nervore i ka tepër të dëmtuara.

Operacioni u krye nga kirurgu Allan Belzberg. Ai thotë se tani për tani është herë të flitet rreth suksesit të operacionit dhe vetëm pas 3-4 muajsh, mjekët pritet të shohin nëse segmentet e transplantuara të nervit kanë zënë vend si duhet. Pas një viti – një viti e gjysëm, ata do të mësojnë nëse krahu i pacientit të tyre ka rifituar aftësinë lëvizëse.

Disa javë para operacionit, kirurgu Belzberg kishte shpresuar për riaftësimin e krahut të Nikut pa patur nevojë për transplantim, por gjatë ndërhyrjes kirugjike ai vuri re se dëmtimi i krahut kishte qënë më i rëndë sesa ç’mendohej. Për këtë arsye mjekët vendosën të shqyrtonin mundësinë e transplantimit.

Fijet nervore për transplantim rrallë dhurohen nga persona të gjallë. Ato zakonisht merren nga të vdekurit, të cilët kur janë gjallë lënë me testament përdorimin e pjesëve të organeve të tyre për transplantime ose kërkime mjekësore në spitale. Operacione të tilla transplantimi të fijeve nervore kanë ardhur duke u shtuar dhe shpresat tani janë më të mëdha se kurrë më parë për riaftësimin e gjymtyrëve të dëmtuara. Nëna e Nikut, Franceska, dhuruese e fijeve nervore për djalin e saj, thotë se ndjehet shumë optimiste përsa i përket rezultatit të operacionit.

Nikotina

Ndërkohë shkencëtarët thonë se nikotina nuk është më shumë e dëmshme sesa kafeina, por ajo që e bën të rrezikshme nikotinën është mënyra e marrjes së saj nëpërmjet tymosjes, pra pirjes së cigares. Rreth 400 mijë amerikanë vdesin çdo vit si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga pirja e duhanit. Për këtë arsye, shoqata amerikane e kancerit u bën thirrje njerëzve që ta lënë duhanin qoftë edhe për një ditë, me shpresë se ky 24 orësh të jetë hapi i parë për heqjen dorë nga varësia e nikotinës.

Në rrethet shkencore ekziston bindja se duhani është i rrezikshëm. Doktor Ken Uorner pranë universitteit të Miçiganit thotë se megjithatë duhani përtypës është shumë më pak i dëmshëm se sa cigarja dhe tymi i saj.

Por zyrtarët e shëndetit publik nuk janë dakord se deri në çfarë mase njëra formë e përdorimit të duhanit është më pak i dëmshme. Sipas një studimi në kolegjin mbretëror të mjekëve në Londër, duhani pa tym është 10 herë më i padëmshëm sesa duhani i cigareve. Të dyja prodhimet përmbajnë sasi të madhe nikotine. Nikotina në vetvete është njësoj si kafeina, por është tymi i cigares ai që dërgon nikotinën në mushkëri dhe që bëhet shkaktar për vdekje.

David Svinor pranë universtitetit kanadez të Otavës thotë se debati është rreth mënyrës së dërgimit të nikotinës në organizëm dhe nëse gjëndet një mënyrë të padëmshme për shpërndarjen e saj, shumë më pak njerëz do të gjejnë vdekjen nga nikotina.

Mënyrë më pak e dëmshme për shpërndarjen e nikotinës është nëpërmjet paisjeve të përkohëshme që vendosen në krah dhe çimçakëzëve me nikotinë. Por prodhime të tilla përmbajnë sasi shumë të pakët nikotine dhe vetëm 10 përqind e personave që i përdorin ato kanë sukses në lënien e duhanit. Duhani pa tym, me sasi të madhe nikotine mund të jetë një alternativë realiste.

Në Suedi, shkencëtarët kanë prodhuar një lloj duhani të quajtur Snus. Snusi nuk tymoset por mbahet në gojë. Shitja e snusit ka ardhur duke u rritur dhe në dy tre vjet, pritet që numri përdoruesve të këtij prodhimi të barazohet me numrin e përdoruesve të cigareve. Shumë suedezë tani përdorin snus në vend të cigareve dhe niveli i rasteve të kancerit, përfshi kancerin në gojë, mes tyre ka rënë dukshëm. Doktor Davis Svenor thotë se mendimi i përgjithshëm është se kjo mund të jetë zgjidhja e problemit që shkaton duhani.

Shefi i shëndetësisë së Shteteve të Bashkuara, (Kirurgu i Përgjithshëm), Admiral Riçard Karmona thotë se ai nuk do të përkrahë asnjë mënyrë përdorimi të duhanit pa tym, pa dalë më parë studime që të tregojnë se prodhime të tilla janë më pak të dëmshme për shëndetin. Por pasoja që shumë vetë kanë frikë është mesazhi se nëse duhani pa tym përkrahet si një alternativë për cigaret, atëherë firmat e duhanit mund ta përdorin atë për të tërhequr konsumatorë të rinj. Dhe këtu në Shtetet e Bashkuara, besueshmëria ndaj firmave të prodhimit të cigareve është shumë e lëkundëshme, pasi ato shpesh janë akuzuar për manipulimin e prodhimeve të tyre për të joshur konsumatorët.

XS
SM
MD
LG