Lidhje

Presidenti Bush përpiqet ta përqendrojë vëmendjen e Amerikës në lajmet e mira nga ekonomia


Presidenti Bush thotë se puna e madhe dhe produktiviteti, shtuar politikave të tij për pakësimin e taksave dhe kufizimin e shpenzimeve qeveritare kanë bërë që ekonomia amerikane të vazhdojë të fuqizohet.

"Kemi çdo arsye për të qenë optimistë për të ardhmen tonë ekonomike. Kur mendon për lajmet më të fundit, për njoftimet mbi vendet e punës, për raportin më të fundit mbi rritjen e fuqishme ekonomike, nivelin e ulët të inflacionit, nivelin e lartë të prodhimit, çmime më të ulëta të karburantit, një treg më të fuqishëm brenda vendit rritjen e besimit të konsumatorëve, si dhe investimet për biznesin, horizonti ynë ekonomik duket po aq i shkëlqyer sa ka qenë për një kohë të gjatë", - tha Presidenti.

Presidenti Bush foli në Kopështin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë ditën kur qeveria bëri të njohura shifra që flasin për krijimin e 215 mijë vendeve të reja të punës në muajin nëntor.

Rritja ekonomike për tre-mujorin e tretë të këtij viti u shtua me 4,3 për qind, gjë që thotë presidenti, tregon për fuqizimin ekonomik të vendit, për arsye se kjo rritje erdhi megjithë çmimet e larta të karburantit dhe dëmet e shkaktuara nga uraganet në vendet e Gjirit të Meksikës.

Papunësia mbetet në nivelin 5 për për qind, shifër kjo më e ulët se mesatarja gjatë dekadave të fundit, por megjithatë, kjo shifër është shumë e lartë, thotë presidenti, për njerëzit që kërkojnë punë.

"Ekonomia jonë është në gjendje të mirë. Por ne nuk do t’i ndërpresim përpjekjet tona, deri sa çdo amerikan që kërkon të punojë të gjejë punë. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për politika të mira ekonomike si për punonjësit edhe për biznesmenët tanë. Unë do të vazhdoj t’i jap shtytje politikave që mbështesin rritjen ekonomike, synimi i të cilave është për t’u siguruar që çdo amerikan të mund ta realizojë ëndërrën amerikane".

Por megjithë disa përmirësime të ekonomisë, përkrahja e publikut për Presidentin kur është fjala për politikat e tij ekonomike vazhdon të bjerë. Një anketim i Associated Press muajin e kaluar tregoi se 61 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me politikat ekonomike të Presidentit. Kjo shifër është më e lartë, në krahasim me shifrën 58 për qind që ishte në muajin tetor po për këtë çështje.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po përpiqen ta përqëndrojnë vëmendjen e Amerikës në lajmet e mira ekonomike, me publikimin e disa shifrave pozitive dhe të një fjalimi mbi ekonominë e vendit në Karolinën e Veriut ditën e hënë. Presidenti Bush thotë se themeli për rritjen ekonomike të Amerikës është i fortë, ngaqë ai bazohet tek taksat e ulëta dhe shpenzimet e kufizuara, tek reformat ligjore dhe në nxitjen e kursimeve dhe investimeve.

Por Drejtori i Bankës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, Allan Greenspan paralajmëroi se vendi mund të përballet me probleme ekonomike, në se Kongresi dhe Presidenti nuk i pakëson deficitet e mëdha federale. Zoti Greenspan tha se numri gjithnjë e më i madh i njerëzve që do të dalin në pension dhe kostoja tepër e lartë e shërbimit mjekësor, po e rrisin edhe koston e programeve kryesore qeveritare.

XS
SM
MD
LG