Lidhje

Media njofton se Frank Wisner do të jetë i dërguari amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës


Sipas njoftimeve të shtypit Washingtoni ka caktuar një diplomat të njohur, ambasadorin Frank Wisner, si të dërguarin amerikan për bisedimet për statusin e Kosovës.

Njoftimi është bërë i ditur nga agjencia Rojters. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për caktimin e diplomatit Weisner, por një burim i zyrës amerikane në Prishtinë i tha Zërit të Amerikës, se “është e sigurtë, se zoti Wisner, është një nga kandidatët".

Edhe burime nga delegacioni i Kosovës i thanë Zërit të Amerikës, se zoti Wisner duket se do të jetë përfaqësuesi amerikan në biseidmet për statusin e Kosovës. Zoti Wisner ka qenë ambasador në disa vende si në Indi dhe Egjipt dhe ka mbajtur pozita të larta në korporatat amerikane si Grupi Amerikan i Sigurimeve.

Bisedimet për statusin e Kosovës, drejtohen nga kryenegociatori Marti Ahtisari, ish-president i Finlandës. Procesi i negociatave filloi zyrtarisht me turneun e parë të zotit Ahtisari në rajon para pak kohësh. Qendra e ekipit të zotit Ahtisari, është Vjena dhe bisedimet zhvillohen me një kombinim të diplomacisë së ecejakeve dhe të takimeve me delegacionet e palëve me negociatorët më vonë në Vjenë.

Palët në bisedime, shqiptarët dhe serbët, kanë qëndrime diametralisht të kundërta për statusin e Kosovës, shqiptarë kërkojnë pavarësi, ndërsa serbët ofrojnë vetëm autonomi të zgjeruar dhe kanë propozuar ndarjen e Kosovës, një alternativë që komuniteti ndërkombëtar e ka cilësuar si të papranueshme.

XS
SM
MD
LG