Lidhje

Sekretarja e Shtetit Rajs fillon turneun në Evropë


Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs që ndodhet në Evropë për një turne në 4 vende, thotë se shpreson që aleatët e Amerikës do të ripërqëndrohen në gjetjen e rrugëve për të luftuar terrorizmin, pas dhënies së garancive të reja, se taktikat e CIA-s në këtë luftë janë të ligjshme dhe nuk përfshijnë tortura. Zonja Rajs pritet të diskutojë për këtë çështje nesër me udhëheqësit gjermanë, përfshirë kancelaren e re Angela Merkel.

Zonja Rajs shpreson se deklarata prej 5 faqesh që mbron punën e agjencive amerikane të zbulimit në luftën kundër terrorizmit, e cila u lëshua dje menjëherë pas nisjes së saj nga Uashingotni, do të ndihmojë së paku, për të qetësuar disi debatin politik në Evropë rreth taktikave të CIA-s.

Megjithatë, kjo çështje pritet të jetë një ndër temat kryesore të bisedimeve në tëç katër vendet që do të vizitojë zonja Rajs dhe mbizotëroi edhe në një konferencë shtypi që zonaj Rajs dha gjatë fluturimit për gazetarët që e shoqërojnë në aeroplan për në Berlin.

Në deklaratën e botuar par anisjes, që është përgjigja ndaj një kërkese të Bashkimit Evropian, zonja Rajs përsëri nuk i konfirmon dhe as i mohon njoftimet për qendra sekrete burgimi të CIA-s në Evropë, ose për fluturime të fshehta për transportimin e të ndaluarve brenda dhe jashtë Evropës.

Por ajo e mbron taktikën e dërgimit të terroristëve në vende të tjera, jashtë formave normale të ekstradimit, që ata të marren në pyetje nga agjencitë e zbuilimit të këtyre vendeve. Praktikat e CIA-s, thotë zonja Rajs, nuk shkelin ligjet ose detyrimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, ose sovranitetin e vendeve me të cilat Shtetet e Bashkuara bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit.

Po ashtu ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk lejojnë ose pranojnë torturën dhe as nuk i dërgojnë të ndaluarit në vende ku Shtetet e Bashkuara mendojnë se ata mund të torturohen.

Në konferencën e shtypit gjatë fluturimit, zonja Rajs theksoi të njejtat pika si në deklaratë dhe tha se shpreson që takimet e saj do të ndihmojnë që debati të rikthehet tek sfida e vështirë që paraqesin terroristët për agjencitë e rendit dhe, në se do të jetë e mundur, tek masat paraprake për të parandaluar sulmet e tyre.

“Shpresoj se ky udhëtim do të na japë mundësinë të ripërqëndrohemi në përpjekjet tona, t’i rikujtojmë vetes dhe popujve tanë se këto janë vendime të vështira, rrethana të vështira me të cilat nuk jemi ndeshur më parë në luftën kundër terrorizmit. Ky duhet të jetë thelbi i debatit. Prandaj dua të jap garanci se ne jemi një vend që zbatojmë ligjin, që gjithshka e bëjmë në përputhje me ligjin, pasi Presidenti kurrë nuk do t’i kërkojë një shtetasi amerikan të shkelë ligjin.”

Bashkimi Evropian i kërkoi zyrtarisht Uashingtonit javën e kaluar të sqaronte aktivitetet e CIA-s, duke thënë se njoftimet për burgje të fshehta, apo fluturime të fshehta në Evropë, mund të përbëjnë shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Njoftimet se CIA ka kryer qindra fluturime të fshehta në Gjermani kanë shkaktuar një debat të ashspër në këtë vend.

Takimi i sotëm i zonjës Rajs me kancelaren Merkel, do të jetë takimi i parë i një zyrtari të lartë amerikane me kancelaren e re të Gjermanisë. Në bisedime pritet të flitet edhe për gjendjen në Afganistan dhe bisedimet e Evropës me Iranin për programin bërthamor të këtij të fundit.

Po sot, pas Gjermanisë zonja Rajs shkon në Bukuresht për t’u takuar me Presidentin Trajan Basesku ku do të nënshkruajë edhe marrëveshjen për hapjen e një baze ushtarake amerikane në Rumani. Gjatë turneut të tanishëm zonja Rajs do të vizitojë edhe Kievin si dhe do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Natos në Bruksel.

XS
SM
MD
LG