Lidhje

Sekretarja e Shtetit Rajs nënshkruan në Bukuresht një marrëveshje për një bazë ushtarake në Detin e Zi


Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs, po vazhdon turneun e saj në Evropë, me një ndalesë në Ukrainë, pas nënshkrimit në Bukuresht të një marrëveshjeje që i jep forcave amerikane të drejtën të përdorin një bazë ushtarake në Detin e Zi. Korrespondenti i Zërit të Amerikës David Gollust, njofton se kjo është marrëveshja e parë që Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë për baza ushtarake me një vend të ish Traktatit të Varshavës.

Kishte kohë që zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kishin shprehur interes për bazën ajrore pak të përdorur Mihael Kogalniceanu në Detin e Zi, në kuadër të programit të administratës së Presidentit Bush për riorganizimin e forcave amerikane në botë.

Kjo bazë ka shërbyer si pikë tranziti poër dërgimin e forcave amerikane në Afganistan dhe Irak dhe Pentagoni ka shpenzuar miliona dollarë për përmirësimin e masave të sigurisë dhe infrastrukturën e bazës.

Njësia amerikane prej 100 vetësh që do të qëndrojë aty, shënon dhe herën e parë që forcat amerikane vendosen në mënyrë të përhershme në ish vend të Traktatit të Varshavës.

Zyrtarët thonë se baza do ketë edhe një prani tjetër forcash, që do të qarkullojnë, një kontigjent prej rreth 1 mijë e 500 ushtarësh dhe personel shërbimi amerikan, si dhe në të mund të ftohen edhe forca nga vende të tjera për t’u stërvitur në marrëveshgje me qeverinë e Rumanisë.

Sekretarja Rajs e nënshkroi marrëveshjen gjatë një ndalese prej 3 orësh në Rumani, ku u takua edhe me Presidentin Traian Basesku, ish kryetar i bashkisë së Bukureshtit, që është bërë një aleat i ngushtë i Amerikës në luftën kundër terrorizmit, që kur erdhi në pushtet një vit më parë.

Kjo bazë në Rumani, është identifikuar nga organizata e të drejtave të njeriut me seli në Nju Jork, Human Rights Watch, si vendi i një prej burgjeve të fshehta të CIA-s, ku mbahen të dyshuar për terrorizëm.

Megjithatë, gjatë një konference të përbashkët shtypi me Sekretaren Rajs, Presidenti Basesku pohoi edhe një herë se në Rumani nuk ka patur burgje të fshehta dhe u bëri thirrje vëzhguesve të të drejtave të njeriut të shkojnë vetë aty për të parë gjendjen.

Nga ana e saj Sekretarja Rajs, tha se marrëveshja për bazën do të jetë transparente dhe do të debatohet në parlamentin e vendit. Por zonja Rajs, iu përmbajt qëndrimit të saj të mëparshëm, që as i konfirmon, as i mohon njoftimet për burgje të feshta të CIA-s, ose për fluturime të fshehta për të transprtuar të dyshuarit.

“Do të jetë e qartë për këdo që këtë bazë ne synojmë ta mbajmë si qendër stërvitore, për të përmirësuar aftësitë tona dhe aftësitë e Rumanisë, për të kryer pikërisht ato aktivitete që jemi duke realizuar së bashku në Irak e Afganistan. Kam folur edhe më parë rreth njoftimeve për disa aktivitete, dhe po e përsëris prapë, se nuk dua të bëj komente në se ato kanë ekzistuar apo jo, pasi të komentosh për to, do të thotë të hysh në diskutime rreth aktiviteteve të supozuara ose të realizuara të agjencive të zbulimit dhe është e thjeshtë, unë nuk kam ndërmend ta bëj një gjë të tillë.”

Ashtu siç bëri edhe më parë në Berlin, zonja Rajs, mbrojti metodat e përdorura në luftën kundër terrorizmit, përfshirë transferimin sekret të të dyshuarve për terrorizëm, duke anashkaluar procedurat klasike të ekstradimit.

Zonja Rajs tha se eliminimi i terroristëve të ardhshëm dhe përdorimi i çdo forme të mundshme ligjore për t’i marë ata në pyetje dhe për të siguruar informacione, është, siç u shpreh ajo, “një praktikë që shpëton jetë”.

Para se të nisej për në Evropë, zonja Rajs përmes një deklarate zyrtare vinte në dukje se Shtetet e Bashkuara nuk lejojnë, tolerojnë, ose mbështesin torturat në çfarëdo rrethanash qofshin dhe nuk kanë dërguar e as do të dërgojnë të ndaluar, në vende ku besohet se ata do të torturohen.

Sot Sekretarja Rajs takohet në Kiev me zyrtarë të lartë ukrainas, përfshirë Presidentin Viktor Jushçenko dhe Kryeminsitrin Juri Jekhanurov, i cili erdhi në pushtet në shtator, pas rënies së qeverisë së mëparshme të koalicionit që qëndroi në pushtet vetëm për 10 muaj.

Zonja Rajs tha se shkoi në Ukrainë për të ndihmuar autoritetet t’u përmbahen reformave të premtuara gjatë revolucionit portokalli të vitit 2004.

XS
SM
MD
LG