Lidhje

Xhim Moran: Në Kongresin amerikan ka rënë interesimi për Kosovën dhe Ballkanin


Ligjvënësi demokrat i shtetit Virginia, Xhim Moran, i tha Zërit të Amerikës se ka shumë besim tek i dërguari amerikan për bisedimet mbi statusin e Kosovës, Frank Wisner. Në një intervistë që i dha Zerit te Amerikes, zoti Moran tha se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe se ajo nuk do të mund të funksiononte si shtet nën Serbinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Moran, Shtetet e Bashkuara kanë emëruar përfaqësuesin e tyre në bisedimet për statusin e Kosovës. Si e shikoni ju rolin e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e problemit të Kosovës?

Jim Moran: Shpresoj se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol më të fuqishëm. Mendoj se ato kanë bërë një hap prapa në këtë aspekt. Shtetet e Bashkuara luajtën një rol kryesor në vendosjen e paqes midis serbëve dhe shumicës shqiptare në Kosovë. Tani ne duhet të bëjmë atë që duhet dhe të përmbushim detyrën. Për fat të keq administrata është tërhequr. Megjithatë, i dërguari amerikan Frank Wisner është një njeri shumë kompetent dhe profesional. Si diplomat, ai ka patur përvojë të gjerë, në Egjipt, Indi dhe në Zambia. Kam shumë besim tek ai dhe nëse ai lejohet të bëjë atë që duhet bërë, mendoj se ndryshimi do të ishte pozitiv.

Zëri i Amerikës: Janë hedhur disa ide në tryezë për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Shqiptarët duan pavarësi, serbët duan autonomi dhe një opsion tjetër është pavarësia e kushtëzuar. Cili duhet të jetë sipas jush statusi i Kosovës?

Jim Moran: Deri tani, politika ka qenë që Kosova të krijonte një qeveri të qendrueshme, një shtet juridik që të zbatohej për të gjithë, që dhunës etnike t’i jepej fund dhe që popullata serbe të mbrohej. Standarde të tilla konsideroheshin një domosdoshmëri para se Kosova të merrte statusin që meriton. Mendoj se Kosova duhet të jetë e pavarur. Këtë e kam thënë vazhdimisht dhe mendoj se zoti Richard Holbrooke veproi gabim kur nuk e shtroi çështjen e Kosovës në Marrëveshjet e Daytonit.

Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, a mund të funksionojë Kosova si shtet i pavarur?

Jim Moran: Ajo nuk mund të funksionojë tani, por natyrisht që nuk do të funksiononte nën Serbinë. Serbët vepruan si banditë ndaj shumicës në Kosovë, ku 95 për qind janë shqiptarë. Prandaj Serbia nuk ka të drejtë të qeverisë Kosovën dhe me duket se Kosova duhet të bëhet e pavarur.

Zëri i Amerikës: Një nga problemet kryesore është pozita e pakicave në bisedimet e ardhshme. Si e shikoni këtë çështje?

Jim Moran: Pakica serbe është vetëm 5 për qind dhe unë nuk do ta kundërshtoja idenë që disa pjesë të Kosovës të administrohen nga serbët, për shembull disa enklava që janë më afër Serbisë, por po të kemi parasysh historinë, nuk besoj se diskriminimi ndaj serbëve do të marrë fund plotësisht, sepse kur serbët kishin pushtetin dhe ushtrinë, ata e imponuan këtë pushtet në mënyrë brutale. Serbia ishte një shtet shumë jo demokratik. Serbët vepruan në një mënyrë të tillë që nuk e përfillnin fare ligjin prandaj do të duhet të paktën një brez njerëzish për të kapërcyer këtë pakënaqësi ndaj serbëve. Natyrisht, do të ishte mirë të shikonim një pjesemarrje dhe pranim të plotë të pakicës, por mendoj se kjo nuk do të ishte realiste. Kosova duhet të jetë në gjendje të funksionojë në mënyrë autonome dhe të pavarur. Mendoj se Serbia humbi çdo të drejtë për të qeverisur Kosovën kur ajo masakroi 2 mijë 500 njerëz dhe la rreth 400 mijë njerëz pa shtëpi.

Zëri i Amerikës: Dy palët kanë pikepamje mjaft të ndryshme për zgjidhjen e statusit. Çfarë do t’u këshillonit ju atyre për të arrritur një marrëveshje?

Jim Moran: Mendoj se Kosova ka nevojë të jetë e pavarur. Palët mund t’i këshillosh të tregohen të mira me njëra-tjetrën por kjo nuk mund të funksionojë, nuk është realiste. Po të isha unë pjesë e shumicës shqiptare dhe të kisha vuajtur përndjekjet dhe shtypjen që serbët u shkaktuan kosovarëve, ndoshta do të kisha falur, por natyrisht që nuk do të kisha harruar. Unë nuk mendoj se bota ka shumë detyrime ndaj Serbisë. Ata ende nuk kanë arrestuar dy kriminelët, Karaxhiçin dhe Mlladiçin. Nuk shikoj ndonjë arsye se përse Serbisë duhet t’i jepet shumë zë në bisedime. Mendoj se pa dhënë njëfarë llogarie për atë që bënë gjatë lufterave ballkanike, ata nuk duhet të kenë shumë peshë në tryezën e bisedimeve.

Zëri i Amerikës: Cili është interesi i Shteteve të Bashkuara në këtë pjesë të Ballkanit?

Jim Moran: Siç e ka thënë disa herë edhe ish Presidenti Clinton, Shtetet e Bashkuara kanë interesa kudo në botë sepse vendet e ndryshme janë të lidhura me njëra-tjetrën. Por, interesi ynë kryesor është jo i drejtpërdrejtë. Ai ka të bëjë me qendrueshmërinë në Evropë, me faktin që ne duam të shikojmë një Evropë paqësore.

Zeri i Amerikes: Çfare interesimi ka ne Kongresin e Amerikës për të zgjidhur problemin e Kosovës?

Jim Moran: Në Kongresin amerikan Kosovës nuk po i kushtohet më ndonjë interesim i madh. Dhuna në Kosovë nuk ka qenë aq e madhe sa që ta bëjë Kongresin ta drejtojë vemendjen në Ballkan. Por në Ballkan ka miliona njerëz që jetojnë në një situatë të paqendrueshme. Ajo që është pozitive, është të paktën fakti se sekretarja e shtetit Kondoliza Rajs ka emëruar një person me peshë, siç është zoti Frank Wisner, si ndërmjetës në bisedime. Nuk jam i sigurt nëse zoti Wisner do të mund të veprojë i pavarur nëse nuk ka një farë mbështetjeje në Kongres. Për fat të keq, Kongresi nuk po tregon shumë interes për Ballkanin dhe kjo është zhgënjyese.

XS
SM
MD
LG