Lidhje

Shqipëri: Dështon tenderi për blerjen e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2006


Në Shqipëri dështoi tenderi ndërkombëtar për blerjen e energjisë elektrike për të gjithë vitin 2006. Sipas kryeministrit Sali Berisha, shkak për këtë u bënë parregullsitë në dokumenta të firmave konkurruese, megjithatë qeveria autorizoi Korporaten Energjitike që të blejë energji nga kompanitë që kanë ofruar çmimin më të ulët, vetëm për një periudhë 3 mujore.

Është kthyer në një odise pafund përpjekja për të siguruar energji elektrike për vendin për një periudhë afatgjatë. Që prej dhjetorit të shkuar disa tendera radhazi kanë dështuar, për shkak të procedurave ligjore të cilat nuk lejonin shpalljen e fituesit kur në gare kishte një konkurrent të vetëm.

Këto dështime të ish qeverisë socialiste së bashku me akuzat për shpërdorim të energjisë u konsideruan si shkaqet kryesore të krizës së rëndë që mbërtheu vendin në muajt e fundit, një krizë e cila pati ndikimet e veta të menjëhershme mbi ekonominë, ritmi i rritjes të së cilës për vitin 2005 vlerësohet të jetë 0.5 përqind më i ulët se 6 përqind i parashikuar dhe dhe që ka lënë pasoja dhe për vitin e ardhshëm kur rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto parashikohet të jetë në nivelet e 5 përqind.

Për të shmangur dështimet e tenderave për energjinë qeveria e kryeministrit Berisha propozoi një ndryshim në ligj i cili lejonte Korporatën Energjitike që të mos i qëndronte strikte fondit limit të përcaktuar për blerje. Në tenderin e organizuar gjatë këtij muaji, më i madhi i organizuar ndonjëherë dhe me një fond prej 80 milion eurosh, u paraqitën 7 kompani. Por edhe këtë herë mundësia për të siguruar energji për të gjithë vitin e ardhshëm dështoi. Sipas kryeministrit Sali Berisha, shkak nuk ishin cmimet e shtrenjta të ofruara por parregullsitë ne dokumenta të firmave që merrnin pjesë.

Kreu i qeverisë tha se nuk do të mund të blihet energji për gjithë vitin sepse po te behej kjo, i takonte qe kompania me cmimin me te lartete dilte fituese dhe kjo krijonte nje dem serioz. Kjo kompani. Shtoi ai, nuk po diskrimonohet per ndonje shkak te vecante por edhe ajo nuk i kishte te gjitha dokumentat te rregullta. Për këtë arsye Korporata energjitike është autorizuar nga qeveria të blejë energji vetëm për një periudhë 3 mujore duke shfrytëzuar ofertat më të ulta.

Ndërkohë korporata energjitike ka njoftuar se për natën e vitit të ri, do të sigurojë energji 24 orë pa ndërprerje.

XS
SM
MD
LG