Lidhje

Parku Arktik Natyror i Alaskës po shihet përsëri si një burim i mundshëm për energjinë


Senati amerikan po shqyrton përsëri projektligje për të hapur Parkun Arktik Natyror të Alaskës si dhe disa rajone në brigjet e Paqësorit dhe Atlantikut për kërkim-shpim për naftë dhe gaz natyror. Dhoma e Përfaqësuesve e ka miratuar këtë projektligj. Rritja e kërkesave për karburant nga konsumatorët si për nevojat e transportit ashtu edhe për ngrohje gjatë dimrit e ka sjellë këtë çështje përsëri në plan të parë.

Në janar të vitit 1969 një difekt në një platformë shpimi në brigjet e Kalifornisë shkaktoi derdhjen e 4 mijë e 500 fuçive nafte në ujërat e Oqeanit Paqësor, që solli ngordhjen e mijëra shpendëve dhe kafshëve të tjera. Kjo ishte një ndër shkëndijat që i dha hov lëvizjes ambjentaliste e cila arriti të siguronte ndalimin e shpimeve pranë brigjeve amerikane si në Paqësor ashtu edhe në Atlantik. 17-vjeçari Josh Gowner, amator i sporteve të ujit, e kundërshton me forcë kthimin e punimeve për nxjerrje nafte në brigjet ku ai bën plazh.

Trafiku i anijeve si dhe shanset për derdhje nafte rriten. Kjo do të kërkonte shtimin e operacioneve të pastrimit. Por shumë ekspertë të energjetikës si bankieri nga Houstoni, Matt Simmons, parashikojnë se vendi është pranë një krize energjetike:

"Unë do të hiqja menjëherë pengesat në mënyrë që të fillojnë shpimet në brigjet e jashtme amerikane. Duhet të fillojmë kërkimet për rezerva gazi në brigjet e Atlantikut dhe Paqësorit si dhe në pjesën lindore të Gjirit të Meksikës, pasi ekonomia amerikane nuk ka të ardhme nëse nuk gjejmë zgjedhje për krizën e gazit natyror."-thot ë ai.

Gazi natyror i cili ka nivel të ulët ndotjeje, shihet si një alternativë e pëlqyer ndaj qymyrgurit dhe naftës, por oferta nuk ka arritur të përballojë kërkesat. Për këtë arsye shumë kompani energjetike duan të fillojnë kërkimet për naftë dhe gaz në bregdetin e Floridës që shtrihet në Gjirin e Meksikës, në Alaskë dhe në ujërat territoriale amerikane përgjatë brigjeve të Atlantikut dhe Paqësorit.

Por shumë ambjentalistë dhe disa ekspertë të energjetikës preferojnë një zgjidhje tjetër. Amory Lovins, drejtor i Institutit Jofitimprurës Rocky Mountain në Kolorado, thotë se metoda që bazohen në kursimin e energjisë dhe shpikja e teknologjisë që përdor burime alternative do të ishin më pozitive për mjedisin dhe më pak e kushtueshme për vendin:

"E gjithë nafta që përdorim, apo që do të përdorim, mund të kursehet dhe të zëvendësohet me çmim më të lirë sesa të blehet në treg me çmimin e tregut. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara mund të eliminojnë plotësisht përdorimin e naftës brenda disa dekadash."-thotë ai.

Zoti Lovins thotë se një pjesë e kësaj mund të realizohet duke marrë hapa të guximshëm për të eliminuar humbjet dhe shpërdorimet dhe duke përmirësuar efikasitetin në ndërtesa, fabrika dhe makina.

Amory Lovins thotë se përdorimi i gjeneratorëve më efikasë do të ndihmonte në kursimin e gazit në centralet elektrike dhe se përparimet teknologjike në industrinë e lëndëve djegëse biologjike do të hapnin 750 mijë vende pune në bujqësi. Por disa ekspertë të energjetikës i shohin me dyshim shifrat që paraqet zoti Lovins dhe nuk janë të bindur se prodhimi i lëndëve djegëse biologjike në masë do të ishte me leverdi. Ekspertët, si Matt Simmons, parashikojnë një gjendje të vështirë energjetike nëse në vitet të ardhshme nuk ka ndonjë përparim të rëndësishëm teknologjik:

"Ndërkohë ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të mbajtur nën kontroll kërkesën dhe për të menaxhuar më së miri ofertën. Drejtues të industrisë energjetike thonë se mbështesin idenë e masave për të mbajtur nën kontroll kërkesën përmes ruajtes së energjisë, por shtojnë se e vetmja mënyrë për të menaxhuar ofertën është të krijohen kapacitetet e prodhimit në të gjitha rezervat e naftës dhe gazit."-thotë ai.

Në bregdetin kalifornian, edhe vetë banorët si Mel Hester, e shohin si të paevitueshëm fillimin e shpimeve të reja në det.

"Kam ndjenja të përziera lidhur me këtë. Nuk dua të trazohet flora dhe fauna në këto zona të papopulluara, por nga ana tjetër, ne si komb nuk jemi treguar sa duhet të kursyer për të shmangur shpime të tilla."- thotë banori i Kalifornisë.//lk

XS
SM
MD
LG