Lidhje

Daci: Pavarësia nuk duhet të ketë parashtesa dhe prapashtesa


Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, thotë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës kërcënohet nga rreziqe te brendshme dhe të jashtme, por nuk pranoi që ai do të rrezikohej nga gjendja shëndetësore e Presidentit Ibrahim Rugova. Në një intervistë dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Daci thotë se institucionet e Kosovës kanë një ofertë të qartë për pakicat kombëtare dhe se grupi negociues për statusin politik do të lejojë ministrin e pushtetit local, Lutfi Haziri, të takohet me homologun e tij serb Zoran Lonçar në pjesën e dytë të muajit janar.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, tashmë jemi në fund të javës së parë të vitit 2006, që është vlerësuar vit me rëndësi të posaçme për të ardhmen politike të Kosovës. Çfarë prisni ju nga ky vit?

Nexhat Daci: Ne presim që ky vit të jetë realizimi i ëndrrës së popullit shqiptar, shqiptarëve kudo që janë, e në veçanti kosovarëve, sepse është investuar shumë në historinë, të themi, 50 ose 100-vjeçare. Mandej, kjo tregon edhe një punë të përgjegjshme të qytetarëve në Kosovë dhe të institucioneve të Kosovës, se janë plotësuar në një mënyrë një numër standardesh dhe një numër kushtëzimesh të ndryshme. Kemi arritur një bashkëpunim shumë të sukseshëm dhe një unitet funksional me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë prandaj jemi të gjithë të qetë dhe të përkushtuar këtë fillim viti që vërtetë të mos lejojmë asnjë shans që ne ta njollosim këtë proces. Në të njëjtën kohë do t’i tërheqim vëmendjen miqve tanë në bashkësinë ndërkombëtare që, vërtetë, zgjatja e procesit mund të ketë efekte shumë negative në proces.

Zëri i Amerikës: Ju jeni anëtar i grupit negociues për statusin përfundimtar politik të Kosovës, grup që ka para vetes detyra që nuk janë shumë të lehta, si krijimi i unitetit politik, hartimi i strategjive për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, përmirësimi i gjendjes së pakicave, por edhe përgatitja e Kosovës përballë pranisë së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë. Profesor, si po iu përgjigjeni ju këtyre detyrave?

Nexhat Daci: Do të thoja me mjaft sukses, sepse është punuar shumë në unitetin politik dhe mund t’ju them me përgjegjësitë më të mëdha që në delegacionin e Kosovës apo në grupin negociator nuk ka asnjë njëanësim në mes të pozitës dhe opozitës. Do të thotë jemi unikë për t’i kryer detyrat. Ka shumë sfida në këtë drejtim që dalin dhe që janë obligime tonat. Unë shpresoj që, me seriozitetin që i kemi kaluar (këto sfida), edhe të grupeve punuese, grupin politik, grupin për ekonomi, grupin për kushtetutë ose për rregullim politik dhe grupeve të tjera, të tregojmë përgatitjet tona dhe unë në vazhdimësi kam thënë që Kosova është e përgatitur për këtë proces dhe në takim e parë që kemi pasë me zotin Ahtisari, ka qenë një befasi e këndshme, në radhë të parë për ne, por edhe për përfaqësuesin, zotin Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Tashmë po diskutohet për disa mundësi të ndryshme për zgjidhjen e statusit të Kosovës, një prej atyre që përmendet më shpesh, është pavarësia e kushtëzuar. A do ta pranonit ju një zgjidhje të tillë, profesor?

Nexhat Daci: Jo. Unë e kam bërë të qartë edhe në bisedë me miq më të mëdhenj të Kosovës, që pavarësia ose është pavarësi ose nuk është. Pavarësia nuk duhet të ketë as parashtesa, as passhtesa. Do të thotë se ajo është një çështje, e cila nuk bisedohet, nuk negociohet dhe as që ka mandat dikush në grupin negociator të Kosovës për të. Por ka një pako obligimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, që del, gjatë statusit dhe në këtë drejtim ne duhet t’i marrim përgjegjësitë tona me një seriozitet shumë më të theksuar dhe këtu bëjnë pjesë në veçanti obligimet ndaj minoriteteve, ndaj decentralizimit, ndaj pasurisë kulturore, ndaj kishave, ndaj xhamive, ndaj të gjitha këtyre isntitucioneve që duhet të jenë jo vetëm demokratike, por edhe të përgjegjshme, në radhë të parë, ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës. Të mos harrojmë, standardi demokratik i një shoqërie është sjellja e saj ndaj minoriteteve. Dhe ne jemi me të vërtetë të përcaktuar që t’i kryejmë detyrat tona.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, a keni ju një pako, një ofertë konkrete për pakicat kombëtare në Kosovë dhe, në këtë kuadër, a do t’i hapni dritën jeshile takimit ndërmjet ministrave të pushtetit lokal të Kosovës dhe Serbisë në pjesën e dytë të janarit, siç është paralajmëruar?

Nexhat Daci: Unë mund të them si individ në grupin negociator që drita e gjelbërt do t’i jepet në pjesën e dytë të janarit. Kemi qenë të gjithë kundër që kjo të ngjajë në dhjetor, sepse kemi dashur që ministri i pushtetit lokal që do të përfaqësojë edhe grupin punues për këtë çështje, zoti Lutfi Haziri, të ketë një dokument ku do të parashtrohen idetë e kosovarëve. Ne do të dalim me pakon tonë dhe (me pikëpamjen) si e shohim ne decentralizimin. Ajo do t’i ofrohet në veçanti palës serbe dhe, këtu të jem shumë i sinqertë, të gjitha vendbanimet serbe, që mund të plotësojnë një kriter evropian ose ndërkombëtar për të qenë një komunë, do të jenë të tilla, por nuk do të ketë grupëzim mbi baza nacionale. Nuk do të ketë kantonizim dhe nuk do të ketë asnjë lidhje fizike me askend jashtë Kosovës; brenda Kosovës, (do të ekzistojnë) të gjitha përgjegjësitë, të gjitha të drejtat dhe të gjitha obligimet që një jetë e bëjnë jetë normale e qytetarëve të Kosovës dhe e serbëve në veçanti, sepse ata janë qytetarët tonë. Të mos harrojmë, serbët e Kosovës kanë historinë e tyre në Kosovë, pasurinë e tyre në Kosovë dhe gjithmonë janë të mirëseardhur si qytetarë të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, procesi i zgjidhjes së statusit politik të Kosovës nuk është një proces i lehtë, madje mund të thuhet se është mjaft i ndërlikuar. A mund ta rrezikojë diçka këtë proces dhe cilat mund të jenë rreziqet ndaj këtij procesi, qoftë nga jashtë dhe qoftë nga brenda Kosovës?

Nexhat Daci: Unë mendoj që nga brenda mund të rrezikohet. N.q.s ne nuk tregojmë seriozitet të mjaftueshëm në institucione, d.m.th. pozita dhe opozita. Nga jashtë ka shenja tentivash për të destabilizuar situatën, gjendjen politike në Kosovë, dhe ne kemi mungesa në këtë aspekt, sepse nuk kemi shërbimet tona zyrtare të zbulimit, ndërsa të gjitha vendet e tjera i kanë në Kosovë, kështu një numër shumë i madh i shërbimeve sekrete veprojnë në Kosovë, d.m.th., hipotetikisht, ekziston gjithmonë mundësia e destablizimit. Por kur them se kemi krijuar një unitet veprues në Kosovë ndërmjet njëri-tjetrit, kjo do të thotë që i kemi plotësuar të gjitha parakushtet për ta ruajtur stabilitetin politik dhe kjo nuk është bërë pa investime të vogla, ose investime të mëdha politike në Kosovë që ndonjëherë, dikujt, qoftë kryeparlamentar, apo kryetar i opozitës, mund t’i kushtojnë politikisht, por përcaktimi i imi fizik, politik dhe psikologjik është që Kosova, në asnjë mënyrë, të mos ofrojë asnjë pretekst që procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës të mos kryhet mirë dhe në kohë.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, një çështje delikate e shtruar kohëve të fundit: A mund ta rrezikojë procesin politik gjendja shëndetësore e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova?

Nexhat Daci: Jo. Jo, sepse ne kemi aq shumë respekt për Presidentin Rugova, për jetën dhe veprën e tij dhe të vetkuptuarit e ndjenjat që ai ishte arkitekt i të gjithë kësaj pesëmbëdhjetë vjet me radhë, sikur krijon një detyrim të veçantë dhe një forcë të brendshme të veçantë që ky proces të shkojë pa probleme dhe i qetë, një proces rezultativ dhe ne do të na duhen shumë, shumë energji të sforcuara sepse objektivisht Presidentin Rugova në Kosovë nuk mund ta zëvendësojë sot askush. //az//

XS
SM
MD
LG