Lidhje

Daci: Kjo ngjarje tragjike do të jetë mobilizim i shumëfishtë që ta forcojmë unitetin


Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci, i cili sipas Kornizës Kushtetuese të Kosovës, trashëgon postin e presidentit, tha sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se Prishtina do t’i dëshmojë botës së Kosova është vend i stabilitetit në Ballkan. Në intervistën që i dha Zërit të Amerikës, ai tha se institucionet janë të gatshme t’i përmbushin detyrimet e tyre në pajtim me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, ku është Kosova 24 orë pas vdekjes së presidentit Rugova?

Nexhat Daci: Kosova është në rrugën që 16 vite më parë e ka filluar presidenti Rugova. Dhe unë i garantoj shqiptarët jo vetëm të Kosovës por shqiptarët në diasporë, në Shqipëri, në Maqedoni, në Luginë të Preshevës, në Mal të Zi dhe në Evropë, që personaliteti i Rugovës është obligim shpirtëror i qytetarëve të Kosovës, i shqiptarëve në veçanti që ta vazhdojnë atë rrugë që jemi afër finalizimit të saj. Kosova është në dhimbje të thellë për humbjen e personalitetit kryesor të shekullit që kaluam për Kosovën. Por, Kosova është krenare më tepër se gjithkush në Evropë që pati fat ta ketë një personalitet të tillë që të jetë lider jo vetëm shpirtëror por dhe politik edhe krijues dhe janë obligime të mia në institucione, të qeverisë, parlamentit dhe partive politike që të ruajmë një unitet edhe më funksional se sa e krijuam me presidentin dhe janë obligimet e mia në institucione që t’i shtojmë mundin dhe djersën tonë për ta finalizuar atë që presidenti Rugova i thoshte gjithkujt, njohjen formale të pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë do të doja t’i shprehja falënderimet ose të them ngushëllimet për presidentin Clinton dhe madam Albright që aq shumë bënë për idenë e Rugovës, për sjelljen e demokracisë në Ballkan, por edhe NATO-s dhe të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Vdekja e presidentit Rugova ndodhi në një periudhë shumë të ndjeshme për Kosovën kur kanë filluar edhe bisedimet për zgjidhjen e statusit politik të saj. Si mendoni se mund të reflektohet mungesa e tij në këtë proces?

Nexhat Daci: Unë mendoj duke e njohur mentalitetin e popullit tim, kjo ngjarje tragjike për ne do të jetë mobilizim i shumëfishtë që unitetin e krijuar në institucione pozitë – opozitë jo vetëm ta ruajmë por ta forcojmë edhe më tepër. Të mos bëjmë asnjë hap, asnjë gjest që do të dëmtonte këtë unitet dhe me këtë do t’i tregonim bashkësisë ndërkombëtare që shqiptarët janë faktor i rëndësishëm në Ballkan, faktor stabiliteti, ndërsa Kosova e përgatitur për shtet sovran dhe të pavarur.

Zëri i Amerikës: Ndonëse ka vetëm një ditë nga vdekja e presidentit, tashmë diskutohet për trashëgiminë politike të tij, duke theksuar se ka lënë një zbrazëtirë në udhëheqjen politike të Kosovës. A do të kenë institucionet e saj kurajë të mjaftueshme për të tejkaluar këtë posaçërisht kur bëhet fjalë për trashëgiminë politike të tij?

Nexhat Daci: Unë besoj që kosovarët kanë kapacitet, kanë vullnet, por mbi të gjitha kanë obligim, që atë barkë, atë anije të udhëhequr në mënyrë brilante nga presidenti Rugova, nuk do të mundohemi t’ia ndërrojmë as kursin as ta destabilizojmë. Jam i bindur thellë se ka shumë vullnet në këtë drejtim në LDK (Lidhja Demokratike e Kosovës) dhe në Kosovë dhe institucionet janë të gatshme që obligimet e tyre konform përgjegjësive kushtetuese, ligjore dhe shoqërore t’i kryejnë dhe t’i udhëheqin si duhet.

XS
SM
MD
LG