Lidhje

Presidenti Bush e quan programin e përgjimit të rëndësishëm në luftën kundët terrorizmit


Administrata e presidentit Bush ka ndërmarë një fushatë për të mbrojtur programin e saj për përgjimin e telefonatave brënda vendit dhe për ta bindur publikun amerikan se një praktikë e tillë është një mjet i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit. Në një fjalim që mbajti dje, presidenti e quajti këtë një program për survejimin e terroristëve.

Gjatë një fjalimi dje në Universitetin e Kensasit, presidenti Bush tha se programi i survejimeve të brëndshme, që përfshin edhe përgjimin e telefonatave brënda vendit, është i ligjshëm dhe i nevojshëm për të mbrojtur popullin amerikan nga terroristët pas sulmeve terroriste të vitit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. “Një prej mënyrave për të mbrojtur popullin amerikan është të kuptohen synimet e armikut. Unë ju thashë se kemi të bëjmë me një lloj tjetër lufte dhe me një lloj tjetër armiku. Në se ata flasin në telefon me njerëz këtu në Shtetet e Bashkuara, ne duhet të dimë arsyen, për t’u mbrojtur juve,” tha presidenti.

Presidenti Bush theksoi se anëtarë të kongresit amerikan janë informuar rreth këtij programi dhe kjo u konfirmua nga anëtari republikan i kongresit Pete Hoekstra gjatë një programi për rrjetin televiziv ABC. “Kur programi filloi para rreth 4 vjetësh, udhëheqësit e kongresit u informuan, u informuan udhëheqësit Dhomës së Përfaqësusve dhe të Senatit, si dhe udhëheqja e komisioneve të zbulimit. Unë kam qënë kryetar i komisionit për 15 muaj dhe gjatë kësaj kohe jam informuar 4 herë.”

Ligjvënësit e Partisë Demokrate të opozitës, përfshirë edhe anëtarin e dhomës së përfaqësusve Jane Harman, nuk e mohojnë këtë, por ata thonë se presidenti Bush ka shkelur ligjin, duke autorizuar përgjimin e telefonatave të qytetarëve amerikanë, pa marë lejen e një gjykate të posaçme. “Çfarë do programi që kemi, dhe unë mbështes një program të ashpër, mendoj se kërcënimet janë shumë të rënda, ky program duhet zbatuar në përputhje me ligjin.”

Senatori republikan John McCain është mes atyre që po i bëjnë thirrje Shtëpisë së Bardhë t’i kërkojë Kongresit të ndryshojë ligjet ekzistues për të shtuar autoritetin e administratës. “Administrata duhet t’i kërkojë Kongresit autoritetin dhe mendoj se do ta sigurojë atë, në nivelin e duhur. Duhen shtuar gjithashtu aftësitë mbikqyrëse në mënyrë që komunikimet të jenë më se të rregullta.” Presidenti Bush ka në plan të vizitojë nesër agjencinë e sigurimit kombëtar, ku ai pritet të mbrojë përsëri programin e tij si dhe ligjshmërinë e tij. Muajin e ardhshëm, senati amerikan do të zhvillojë seanca me pyetje përgjigje lidhur me këtë çështje. //rd//

XS
SM
MD
LG