Lidhje

SHBA: Vazhdojnë polemikat lidhur me praktikat e përgjimit të zbatuara nga administrata


Gjatë ditëve të fundit, një numër anëtarësh të lartë të administratës së Presidentit Bush, përfshirë edhe vetë Presidentin, e kanë mbrojtur haptazi një program kombëtar përgjimi, i cili ka ngjallur polemika të shumta. Programi u fut në zbatim me urdhër të Presidentit, si një masë e nevojshme në luftën kundër terrorizmit, një arsyetim që nuk ka gjetur mbështetje në shumë amerikanë:

Administrata këmbëngul se programi i përgjimit, i vënë në zbatim pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, është i ligjshëm. Ish kreu i Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, Gjenerali Maikëll Hejden thotë se ky program ndihmon për të mbrojtur jetë njerëzish: "Nëse ky program do të ishte futur në zbatim para 11 shtatorit 2001, në gjykimin tim profesional, ne do të kishim zbuluar disa prej operativëve të al Kaidës që kryen sulmet e 11 shtatorit," thotë gjenerali.

Programi u jep mundësi agjencive përkatëse të përgjojnë bisedat telefonike të personave që dyshohen si terroristë jashtë, me persona të dyshuar brenda Shteteve të Bashkuara. Kritikët thonë se qeveria mund të jetë duke përgjuar telefonatat e amerikanëve që respektojnë ligjin, pa pasur një urdhëresë nga gjykata. Ky veprim është i jashtëligjshëm në bazë të Kushtetutës.

Por Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales tha në një diskutim me studentë të drejtësisë në Universitetin Georgetown në Uashington tha se Rezoluta për përdorimin e forcës, e miratuar nga Kongresi pas sulmeve të 11 shtatorit, i njeh Presidentit autoritetin kushtetues për të parandaluar sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara: "Kjo rezolutë i jep presidentit autoritetin për të përdorur “të gjithë forcën e duhur dhe të nevojshme kundër vendeve, organizatave apo personave për të cilët ai arrin në përfundimin se po planifikojnë, autorizojnë, kryejnë apo po ndihmojnë në ndërmarrjen e sulmeve terroriste në mënyrë që të parandalohen sulme të tjera në Shtetet e Bashkuara," thotë Prokurori i Përgjithshëm Gonzales.

Megjithatë, anëtarë të të dyja partive në Kongres kanë shprehur shqetësim lidhur me këtë interpretim, përfshirë edhe kryetarin e Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, senatorin republikan Arlen Spekter: "Kur votova për rezolutën, nuk mendova se po autorizojë përdorimin e forcës siç po interpretohet në përgjimet elektronike," thotë Senatori Spekter.

Në një diskutim pas fjalimit që mbajti Prokurori i Përgjithshëm, profesori i drejtësisë Dejvid Koul tha se Kongresi e shqyrtoi në veçanti çështjen e përgjimit të telefonatave gjatë një periudhe lufte, kur miratoi Ligjin për Përgjim nga Shërbimet e Zbulimit Jashtë Vendit. "Ata thanë se “kur Shtetet e Bashkuara të kenë shpallur luftë, Presidenti mund të autorizojë përgjime të bisedave telefonike pa marrë autorizim nga gjykata, por vetëm për 15 ditë.” Shpjegimi që dhanë për këtë ishte se “nëse Presidenti ka nevojë për këtë autoritet edhe më gjatë, ai duhet t’ia kërkojë këtë Kongresit.” Në këtë rast Presidenti nuk e bëri një gjë të tillë. Ai thjesht autorizoi përgjimin e bisedave telefonike pa ia paraqitur kërkesën Kongresit," thotë profesori.

Ligji për Përgjim nga Shërbimet e Zbulimit Jashtë Vendit thotë se administrata mund të fillojë përgjimet edhe pa u shpallur lufta, nëse merr brenda 72 orësh leje nga një gjykatë e posaçme. Por Prokurori i Përgjithshëm Gonzales thotë se ky proces është i ndërlikuar dhe kërkon shumë kohë: "Agjentët e zbulimit duhet të marrin nga juristët e Agjencisë Kombëtare të Zbulimit, miratimin se kërkesa përmbush të gjitha parametrat e ligjit. Më pas juristët në Departamentin e Drejtësisë duhet të binden për këtë proces. Dhe së fundi, procesi duhet të marrë edhe miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm se të gjitha kërkesat e ligjit janë respektuar," shpjegon Prokurori i Përgjithshëm.

Raporti i fundit i Departamentit të Drejtësisë në Kongres thotë se në vitin 2004 në gjykatë u paraqitën mbi 1 mijë e 700 kërkesa për përgjim telefonatash dhe të gjitha kërkesat u miratuan. Gjatë vizitës në Universitetin Georgetown, Prokurori i Përgjithshëm u prit me protesta. Disa nga studentët kishin ngritur një parullë ku ishte shkruar një thënie e njërit prej baballarëve të kombit amerikan, Benjamin Franklin: “Ata që heqin dorë nga një liri bazë për hir të sigurisë së përkohshme, nuk meritojnë as liri, as siguri.” Zoti Gonzales tha se administrata është e angazhuar për të mbrojtur si lirinë ashtu edhe sigurinë. //ad//

XS
SM
MD
LG