Lidhje

Hand: Rugova ishte njeriu i paqes; Nuk jam i sigurtë nëse ndonjë politikan tjetër i Kosovës mund të zërë vendin e tij


Në këto ditë zie kombëtare në Kosovë, çdo njeri, nga personalitetet më të larta deri tek njerëzit e thjeshtë, po e cilësojnë presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si njeriun e paqes. Bob Hand, këshilltar në Komisionin Helsinki të Kongresit amerikan është takuar shumë herë me presidentin Rugova, si zyrtarisht dhe privatisht. Edhe për të, zoti Rugova është simboli i paqes.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Dr. Rugova ka qënë udhëheqës i Kosovës për një kohë shumë të gjatë dhe me dinjitetin e maturinë e tij ai ka gëzuar respektin dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Cila është trashëgimia e tij?

Bob Hand: Mendoj se trashëgimia e tij kryesore për Kosovën, dhe këtë po e shikojmë në mesazhet e ngushëllimet, që po merr populli i Kosovës si dhe familja e miqtë e tij, është se ai ishte njeriu i paqes, ai mbështeste pavarësinë e Kosovës dhe e shikonte arritjen e saj nëpërmjet mjeteve të padhunshme dhe pikërisht kjo do të jetë trashëgimia e tij. Shpresoj që trashëgimia e tij të mbetet e gjallë, që njerëzit të shikojnë arritjet e tij, të reflektojnë mbi këto arritje dhe të përpiqen të gjejnë në të ardhmen mënyra paqësore për të çuar përpara çështjen e tyre cilado qoftë ajo.

Zëri i Amerikës: Dr. Rugova ndëroi jetë në një moment tepër kritik për Kosovën. Sot në Vienë do të kishin filluar bisedimet e para midis Prishtinës dhe Beogradit. Ato natyrisht u shtynë për më vonë. Si do të ndikojë mungesa e zotit Rugova në arenën politike në Kosovë?

Bob Hand: Mendoj se deri diku është një gjë e mirë që bisedimet u shtynë. Do të kishte qenë më e vështirë sikur presidenti Rugova të kishte ndërruar jetë pas fillimit të bisedimeve, pasi të ishin shprehur qëndrimet e të dy palëve, të ishin bërë kompromise, dhe pastaj gjërat të rishqyrtoheshin pas një ndryshimi aq të madh. Vdekja e zotit Rugova do të shkaktojë një farë vonese, së pari do të mbahet zia kombëtare, pastaj do të ketë negociata mes partive të ndryshme politike në Kosovë për të përcaktuar pasardhësin e tij dhe se si vdekja e tij ndryshon qëndrimet politike. Shpresoj që trashëgimia e tij të mbetet e gjallë, por kjo do të varet nga pasardhësi i zotit Rugova dhe lojtarët e tjerë në arenën politike të Kosovës. Ndërkohë, nga ana e Beogradit mund të ketë një farë testimi për të parë se çfarë ndryshimesh mund të ndodhin. Dhe natyrisht që në një gjendje të tillë pasigurie mund të ndodhin gjëra spontane dhe normalisht kjo më shqetëson më shumë sepse diçka e papritur mund të ndryshojë të gjithë pasqyrën politike në Kosovë. Kjo më shqetëson, por me këtë nuk dua të them se në arenën politike të Kosovës parashikoj ndryshime drastike. Pa dyshim, në qoftë se trashëgimia e zotit Rugova mbështetet nga partitë politike të Kosovës, kjo do ta bënte më të lehtë procesin e bisedimeve mbi statusin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Dr. Rugova vuante nga një sëmundje e rëndë dhe megjithëse diagnostikimi i tij nuk erdhi deri në shtator të vitit të kaluar, vdekja e tij pritej. Ndërkohë, ngushëllimet po vërshojnë nga e gjithë bota, duke filluar nga presidenti Bush, sekretarja e shtetit Rice, e shumë personalitete të tjera. A ka vënd që komuniteti ndërkombëtar të jetë i shqetësuar për të ardhmen e Kosovës?

Bob Hand: Pa dyshim që ekziston shqetësim sepse ekziston pasiguri, dhe kurdoherë që ka pasiguri, ekziston mundësia që një individ apo një grup të shkaktojë probleme. Megjithatë mendoj se edhe nëse zoti Rugova do të ishte gjallë dhe aktiv, në Kosovë ka mjaft tensione, pikpamjet rreth të ardhmes së saj janë kaq të polarizuara sa që komuniteti ndërkombëtar ishte dhe vazhdon të jetë shumë i shqetësuar. Duke pasur parasysh të gjitha zhvillimet në Kosovë, shqetësimi nuk mendoj se është shtuar. Unë vetë për shembull isha shumë i shqetësuar rreth Kosovës para një viti, para se të mësonim rreth sëmundjes së Dr. Rugovës. Shpresoj që udhëheqësit politikë të Kosovës, disa prej të cilëve janë shumë të talentuar, inteligjentë dhe të arsyeshëm, do të tregojnë mënçurinë për t’u përpjekur të vazhdojnë kursin që kanë ndjekur deri tani. Asgjë nuk do ta ndihmonte më shumë Kosovën në bisedimet mbi të ardhmen e saj se sa përmirësimi konkret i gjendjes në terren, si respektimi i të drejtave të pakicave, liria e lëvizjes dhe respektimi i shtetit ligjor.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët disa vështirësi me të cilat përballet Kosova. Nëse do të identifikonit sfidën më të madhe me të cilën përballet sot Kosova, udhëheqësit dhe populli i saj, cila është ajo?

Bob Hand: Mendoj se sfida më e madhe pas vdekjes së zotit Rugova do të jetë përcaktimi i udhëheqësit të ri të Kosovës. Nuk mendoj se është e qartë se ndonjë prej politikanëve të Kosovës, pavarësisht se sa të talentuar mund të jenë ata, të jetë në gjendje të arrijnë bashkimin që arriti presidenti Ibrahim Rugova. Ai i organizoi shqiptarët në lëvizjen kundër sundimit serb të luftonin për aspiratat e tyre në mënyrë paqësore. Nuk jam i sigurtë nëse ndonjë politikan tjetër i Kosovës mund të zërë vendin e zotit Rugova. Dikush do të jetë presidenti i Kosovës dhe ai duhet të mos jetë figurë polarizuese, por të ketë aftësinë ta bashkojë popullin në këtë periudhë të vështirë.

XS
SM
MD
LG