Lidhje

Evropë: Vazhdojnë protestat pas botimit të karikaturave të Profetit Muhamet


Në botën myslimane kanë vazhduar edhe sot protestat mbi publikimin e karikaturave të Porfetit Muhamet. Megjithëse karikaturat fillimisht u botuan në Danimarkë shtatorin e kaluar, disa gazeta i ribotuan ato kohët e fundit dhe kjo rigjallëroi zemërimin në radhët e komunitetit mysliman.

Në botën myslimane vazhdon zemërimi mbi karikaturat që paraqesin një pamje tallëse të profetit Muhamet. Ligji islamik e ndalon vizatimin e Profetit, qoftë ky edhe në aspektin pozitiv, për të parandaluar krijimin e idhujve.

Profesor Akbar Ahmed, studjues në Universitetin Amerikan në Washington, thotë se zemërimi i tanishëm thekson tensionin që ekziston midis tolerancës fetare dhe lirisë së fjalës. "Në këtë konflikt, shohim nga njëra anë një forcë të papërmbajtshme, që janë besimtarët myslimanë dhe një objekt të palëvizshëm, që është parimi i lirisë së fjalës në Perëndim. Pikërisht këto dy aspekte po përplasen aktualisht me njëri tjetrin. Të njëjtin reagim pamë një dekadë më parë, me krizën që shkaktoi publikimi i “Vargjeve Satanike” të Salman Rushdisë. Në një farë mënyre, shohim një rezonancë dhe një jehonë të së njëjtës krizë, ku dy kultura në konflikt me njëra tjetrën, përplasen, duke mos kuptuar se cilat janë pikat e dobëta të njëra tjetrës. Myslimanët duhet të tregohen më të ndjeshëm ndaj mënyrës se si funksionon Perëndimi dhe Perëndimi nga ana e tij, duhet të kuptojë se si reagojnë myslimanët ndaj ndjenjës fetare, ndaj hyjnores dhe ndaj vetë teologjisë," thotë profesori.

Karikaturat zgjuan edhe shqetësimet për rrezikun e rrëmbimit të perëndimorëve në territoret palestineze, si dhe për bojkotimin e prodhimeve daneze në disa pjesë të Lindjes së Mesme. Dje, kryeministri danez Anders Rasmussen thirri në një takim në Kopenhagë më tepër se 70 ambasadorë, mes tyre ata të vendeve kryesisht myslimane. "Qeveria daneze po i merr shumë seriozisht protestat dhe kërcënimet. Ne po bashkëpunojmë me miqtë dhe partnerët tanë në botën myslimane dhe më gjerë, për ta qetësuar gjendjen." Kryeministri danez druhet se tensionet do të shtohen me ribotimin karikaturave edhe nga gazeta të tjera.

Në Shtetet e Bashkuara, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon MeKormek i doli në mbrojtje lirisë së fjalës, por ai e dënoi botimin e karikaturave. "Ne mendojmë se kariaktuart janë fyese dhe e kuptojmë përse shumë njerëz janë ofenduar prej tyre. Ne bëjmë thirrje për tolerancë dhe mirëkuptim. Por mediat, nga ana e tyre, duhet t’i marrin vetë vendimet lidhur me ato që botohen. Qeveria amerikane nuk dikton ato që botohen në shtyp," tha zëdhënësi.

Demontrata plot zemërim kundër botimit të karikaturave pati në Indonezi, në Bangladesh, në Malajzi dhe në disa vende të tjera me popullsi kryesisht myslimane. Në Pakistan, presidenti Pervez Musharraf shprehu zemërim, duke thënë se nuk ka justifikim për publikimin e karikaturave. Në Pakistan, fyerja e profetit Muhamet dënohet me vdekje.

Udhëheqësit evropianë, me shpresën për të zbutur zemërimin në mbarë kontinentin, i dënuan karikaturat si banale duke thënë se ato shprehin mungesë respekti. Disa të tjerë i kanë dalë në mbrojtje të drejtës së lirisë së fjalës në shtyp. //ad//

XS
SM
MD
LG