Lidhje

Vazhdojnë protestat ndaj botimit të karikaturave të Profetit Muhamed në gazetat evropiane


Në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë shpërthyen sot protesta të reja për shkak të portretizimit të Profetit Mohamed si terrorist, megjithë thirrjen e udhëheqësve myslimanë për qetësi.

Në Afganistan 4 protestues u vranë gjatë një demonstrate. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, fajësoi atë që e quajti “komplot zionist”. Ai tha se karikaturat u botuan qëllimisht për të shkaktuar konflikt midis myslimanëve dhe të krishterëve.

Zyrtarët iranianë po ashtu thanë se vendi i tyre do të pezullojë të gjitha marrëdhëniet ekonomike e tregëtare me Danimarkën, vendin ku u shfaqën karikaturat për herë të parë. Përsëri sot, iranianët hodhën bomba zjarrvenëse kundër ambasadës daneze në Teheran.

Në Pakistan, mijëra protestues dogjën sot portrete të kryeministrit të Danimarkës, Anders Fogh Rasmusen. Zoti Rasmusen bisedoi sot me Presidentin Bush për protestat në rritje dhe të dy udhëheqësit thonë se ranë dakord se rruga që duhet ndjekur për të qetësuar gjendjen është ajo e dialogut. Danimarka u bëri thirrje të gjithë shtetasve të saj në Indonezi, vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, që të largohen.//lk

XS
SM
MD
LG