Lidhje

Studim i ri mbi ndikimin e alkoolit tek mbipesha


Sipas një studimi të ri mjekësor, ata që e pinë alkoholin me masë kanë shanse më të vogla për të vuajtur nga mbipesha. Por disa ekspertë e kanë vënë në pikëpyetje saktësinë shkencore të këtij studimi:

Studimet e mëparshme kanë treguar se pirja me masë e alkoolit mund të ketë efekte pozitive shëndetësore, siç është rënia e tensionit të gjakut apo ulja e rrezikut për t’u sëmurur nga zemra. Por një studim i mjekut James Rohrer në klinikën MAYO këtu në Shtetet e Bashkuara, tregon se pirja e alkoolit mund të ndikojë tek mbipesha.

Sipas studimit, ata që konsumojnë një deri dy gota alkool disa herë në javë kanë shanse më të vogla për të shtuar në peshë, krahasuar me ata që nuk pinë. Mirëpo, studiuesit thonë gjithashtu se pirja e më shumë se katër gotave alkohol në ditë e rrit 46 përqind rrezikun e mbipeshës.

Mjeku Arthur Frank, në universitetin Xhorxh Uashington, thotë se ndonëse në studim mund të ketë elementë të vërtetë, ai nuk do t’i këshillonte kurrë pirjen e alkoolit dikujt që kërkon të humbasë peshë.

" Është gabim i madh nëse inkurajohen njerëzit që të pinë vetëm për këtë arsye, sepse pasojat e alkoolit janë shkatërrimtare; sepse megjithëse ekziston mundësia për pasoja pozitive, ato janë shumë më të vogla se sa rreziqet."- thotë Dr. Frank.

Ai thotë se megjithëse ata që pijnë pak alkohol mund të jenë më të dobët në trup, alkoholi nuk ka asnjë vlerë ushqyese.

"Alkoholi ka kalori të tepërta dhe pa vlera ushqyese, kështu që ai zhvendos nga dieta kaloritë me cilësi të lartë. Sa më shumë alkool të pish, aq më pak ushqime të nevojshme do të konsumosh,"- thotë mjeku.

Ekspertët thonë se ka rrugë më të mira për të luftuar mbipeshën se sa pirja e alkoolit, siç janë dieta dhe ushtrimet fizike. Disa ekspertë thonë se studimi në fjalë nuk është shkencor dhe se individët e shëndetshëm e pinë alkoholin me masë për arsye të publicitetit rreth të mirave që ka kjo. Këta njerëz, theksojnë ekspertët, veprojnë njëlloj edhe kur është fjala për të ngrënët, kështu që nuk vuajnë nga mbipesha.//lk

XS
SM
MD
LG