Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs, thotë se Irani po sfidon hapur komunitetin ndërkombëtar duke rifilluar veprimtarinë në fushën e lëndëve djegëse bërthamore.
Zonja Rajs i tha dje komisionit të Senatit për marrëdhëniet me jashtë se administrata e Presidentit Bush do t’i kundërshtojë ato që ajo i quajti politika agresive të qeverisë iraniane.
Sekretarja Rajs tha se administrata e Presidentit Bush ka në plan t’i kërkojë Kongresit 75 milionë dollarë fonde shtesë këtë vit për të nxitur demokracinë në Iran. Paratë do të përdorën për shtimin e transmetimeve televizive satelitore në Iran nga qeveria amerikane dhe për të ndihmuar grupet private iraniano-amerikane.
Sekretarja Rajs do të shkojë në Lindjen e Mesme javën e ardhshme për bisedime rreth çështjes së Iranit. Ajo do të bëjë ndalesa në Egjipt, Arabi Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rusia po i bën thirrje Iranit të ndërpresë veprimtaritë e pasurimit dhe t’u kthehet bisedimeve rreth programit të tij bërthamor. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, thotë se zyrtarët iranianë dhe rusë do ta diskutojnë çështjen të hënën në Moskë.
Perëndimi e akuzon Iranin se kërkon të prodhojë armë bërthamore, akuzë të cilën Teherani e mohon.