Lidhje

Rossin: Kosova mund të bëhet e pavarur gjatë vitit 2006


Zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Larry Rossin, tha të mërkurën në Prishtinë se Kosova mund të bëhet e pavarur gjatë vitit 2006. Ai i bëri këto komente ne ditën e fundit të punës së tij në Kosovë para se të largohej për në Haiti ku me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara do të kryeje një punë të ngjashme me atë në Kosovë, pra do të jetë njeriu i dytë i Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Zoti Rossin tha se pavarësisht se Kosova është në rrugë drejt statusit të saj përfundimtar, është shume më rëndësi që ajo të krijojë një ardhmëri dhe siguri për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

“Mendoj se viti 2006 do të jetë vit në të cilin mbase Kosova do të bëhet e pavarur dhe kjo jo pse është politikë e Misionit të Kombeve të Bashkuara apo shefit të këtij misioni por kjo është thënë nga diplomatë të shumtë ndërkombëtar kohëve të fundit”, tha zoti Rossin.

Ai tha se Misioni i Kombeve të Bashkuara të cilit do t’i përfundojë mandati pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, është I përkushtuar të kalojë përgjegjësitë tek institucionet vendase dhe ky synim tashmë është dëshmuar në shumë fusha përfshirë edhe ato të rendit dhe të drejtësisë. Kosova theksoi ai duhet të jetë shumë e përgatitur për sfidat e që e presin, sidomos në planin e zhvillimit ekonomik, pas zgjidhje së statusit të saj politik.

Ai tha se optimizmin e tij për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve të saj e mbështet në faktin se siç u shpreh, Kosova nuk ka nevojë mbështetet vetëm në vetveten, pasi që ajo ka një mbështetje të gjerë ndërkombëtare. Në këtë kuadër ai theksoi se bashkësia ndërkombëtare do të vendos lidhur me rolin që do të ketë praninë e saj në Kosovë pas zgjidhje së statusit nëse do të ketë një vëzhgim ndërkombëtar apo një formë tjetër, siç është përmendur në shumë raste që këtë punë ta kryej Bashkimi Evropian.

Larry Rossin është i njohur në Kosovë edhe me punët që ka kryer para se të merrte postin e zëvendësshefit të UNMIK-ut. Ai menjëherë pas luftës rihapi Misionin e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, ndërsa një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe gjatë periudhës sa shërbente në departamentin e amerikan të shtetit. Zoti Rossin është diplomati i tretë amerikan që ka shërbyer në Kosovë në postin e zëvendësshefit të UNMIK-ut. Besohet se edhe zëvendësi i tij do të jetë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

XS
SM
MD
LG