Lidhje

Autoritetet irakiane vendosin masa të reja sigurie për të ndalur dhunën në Bagdat


Ministri i brendshëm i Irakut njoftoi se do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në Bagdat dhe periferitë e tij, në përpjekje për të ndalur një valë të re dhune sektare.

Në një konferencë për shtyp të transmetuar sot nga televizioni, ministri i brendshëm Bajan Xhabr tha se duke filluar nga nesër, makinat nuk do të lejohen të futen apo të dalin nga kryeqyteti për 24 orë dhe se çdokush që do të shihet me armë do të ndalohet.

Ndërkaq, akte të reja dhune shpërthyen në Irak, megjithë vendosjen e ndalim-qarkullimit që synonte të ndalte tensionet sektare që shpërthyen pas sulmit ndaj një objekti fetar shiit të mërkurën. Në një ndër incidentet më të përgjakshme, zyrtarët irakianë thonë se persona të armatosur u futën në shtëpinë e një familjeje shiite pranë Bakubës, dhe lanë të vdekur 12 persona.

Në jug të Bagdatit, zyrtarët thonë se pas përleshjeve të natës së mëparshme gjetën trupat e 14 policëve irakianë. Po në kryeqytetin e vendit, persona të armatosur hapën zjarr ndaj një procesioni që po shoqëronte arkivolin e një gazetari të njohur arab të televizionit al Arabya. Nga incidenti gjetën vdekjen të paktën 3 policë.

Gjetkë policia tha se një makinë bombë shpërtheu në qytetin shiit të Kerbalës duke shkaktuar vdekjen e të paktën 5 personave.

XS
SM
MD
LG