Lidhje

Daniel Fried: Çështja e kufirit Kosovë-Maqedoni nuk përbën problem për zgjidhjen e statusit


Daniel Fried, Ndihmës Nënsekretari i Shtetit për çështjet politike dhe të drejtat e njeriut, tha mes të tjerash në një intervistë me Zërin e Amerikës se çështja e pazgjidhur e kufirit të Kosovës me Maqedoninë nuk përbën ndonjë problem të veçantë në kuadrin e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Kjo është pjesë e këtij procesi dhe Shtetet e Bashkuara e kanë bërë plotësisht të qartë, tha ai, se nuk do të ketë ndryshim kufijsh dhe nuk do të tolerojnë asnjë lloj pretendimi irredentist apo nacionalist që do ta kthente rajonin në luftrat ballkanike, dhe dënojnë barabar çdo pretendim të tillë, pavarësisht nga cila palë mund të shprehet, qoftë kjo Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia apo çdo vend tjetër.

Zoti Fried tha se një nga problemet e tjera të pazgjidhura në Ballkan është dorëzimi i Radovan Karaxhiçit dhe i Ratko Mladiçit në Hagë. Ka kaluar mjaft kohë dhe këta njerëz duhet të dalin para drejtësisë. Serbia është në gjendje të ndihmojë në këtë drejtim. Shtetet e Bashkuara presin që Serbia ta mbajë fjalën dhe të përmbushë detyrimet e saj.

Për sa i përket Kosovës, Ndihmës Nënsekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried tha se këtë problem e krijoi Millosheviçi me luftërat që filloi e që i humbi të gjitha. Tani Sërbia është duke vuajtur pasojat e politikës së tij.

Shtetet e Bashkuara tha zoti Fried duan një zgjidhje që do ta çonte përpara rajonin, një zgjidhje që do të shoqërohej me respektimin e të drejtave të serbëve të Kosovës, me mbrojtjen e objekteve fetare e kulturore serbe, një zgjidhje që do t’u lejonte njerëzve të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Beogradi duhet ta ndihmojë këtë proces sepse është në interesin më të mirë të Serbisë, theksoi Daniel Fried. //rd//

XS
SM
MD
LG