Lidhje

Batakoviç: Nuk ekziston ndonjë program i fshehtë në planin për decentralizimin të hartuar nga Beogradi


Dushan Batakoviç, këshilltar politik i Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, i tha Zërit të Amerikës se nuk ekziston ndonjë program i fshehtë në planin për decentralizimin të hartuar nga Beogradi. Ai tha gjithashtu se Beogradi nuk u bën presion serbëve të Kosovës për të mos marrë pjesë në institucione, por përvoja e tyre me institucionet e mbizotëruara nga shqiptarët është negative.

Zëri i Amerikës: Zoti Batakoviç, sa sukses është arritur për mendimin tuaj në bisedimet e Vjenës për çështjen e decentralizimit në Kosovë?

Dushan Batakoviç: Mendoj se është gjë shumë e mirë që po zhvillohen bisedime të drejtpërdrejta. Ka gjithashtu shumë rëndësi që po diskutohen disa nga temat të cilat janë me rëndësi kryesore për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë e Metohi. Ky është një hap i parë inkurajues por nuk mjafton dhe neve do të na duhet të punojmë shumë për të arritur sukses të mëtejshëm.

Zëri i Amerikës: Cili është koncepti juaj për financimin e komunave të reja që do të krijohen në Kosovë?

Dushan Batakoviç: Ky është një koncept shumë i thjeshtë, transparent dhe evropian për financimin e komunave të reja në ato komuna ku ka nevojë për financime specifike, për shembull për sistemin shëndetësor, për vënien në dispozicion të ndihmës mjeksore në gjuhën amtare të komunitetit serb si dhe në arsim, në programet dhe tekstet shkollore të cilat janë shumë të rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e identitit të tyre.

Zëri i Amerikës: Pala serbe, Beogradi, kërkon më shumë autonomi për serbët e Kosovës. A është kjo pjesë e një plani për një ndarje territoriale të Kosovës në të ardhmen? A ekziston një program i fshehtë nga ana e Beogradit për ndarjen e Kosovës?

Dushan Batakoviç: Ne e përsërisim vazhdimisht dhe mund t’jua konfirmoj se nuk ekziston ndonjë program i fshehtë në planin për decentralizimin të hartuar nga Beogradi, i cili është mjaft publik dhe i njohur prej kohe nga të gjitha palët ndërkombëtare të interesuara. Ndarja e Kosovës nuk është koncepti i Beogradit sepse ne duam të arrijmë me bisedime një autonomi shumë të gjerë me lidhje të caktuara kushtetuese me Beogradin, por nuk duam që ta administrojmë Kosovën me mënyrën që administrohej më parë. Ne duam të ndërtojmë një partneritet të ri për të patur një farë institucioni të përbashkët në nivele të caktuara dhe brenda këtij sistemi të kemi një autonomi më të madhe për rajonet e banuara nga serbët në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Duket se Beogradi ka frikë t’u japë serbëve të Kosovës më shumë hapësirë për veprim, për shembull që ata të marrin pjesë në bisedimet e Vjenës si pjesë e grupit kosovar. Përse ndodh kjo? Dushan Batakoviç: Në fakt, e vërteta është ndryshe. Të gjitha planet e hartuara nga Beogradi janë bërë pas këshillimit me serbët e Kosovës. Ata madje kërkojnë më shumë se sa po kërkojmë ne tani. Por ne duhet të jemi realistë, konstruktivë dhe të mbajmë parasysh nevojat dhe problemet e komunitetit shqiptar të Kosovës. Megjithatë, serbët e Kosovës janë të integruar plotësisht në ekipin negociues të Beogradit dhe ky është ekipi ku ata dëshirojnë të marrin pjesë. Përsa i përket pjesmarrjes në institucione, ata kanë marrë pjesë atje për dy vjet por asnjëri nga propozimet e tyre nuk është pranuar nga Parlamenti i Kosovës, nga institucionet e përkohshme. Kjo tregon se diskriminimi ndaj serbëve është ende pjesë e programit të komunitetit shqiptar i cili dominon plotësisht të gjitha institucionet. Për këtë arësye ka shumë pak serbë që duan të marrin pjesë në institucione, pra sepse ata nuk fitojnë gjë nga kjo.

Zëri i Amerikës: Por shqiptarët thonë se ka një presion të madh nga ana e Beogradit që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në institucione. Cili është komenti juaj?

Dushan Batakoviç: Ne nuk i bëjmë presion askujt për të marrë ose mos marrë pjesë. Por përvoja e serbëve të Kosovës me institucionet e dominuara nga shqiptarët është krejt negative. Mund të gjesh gjithmonë një ose dy persona që në mënyrë të pavarur dhe për arësyet e tyre individuale janë të gatshëm të bashkëpunojnë por ata përfaqësojnë vetëm veten e tyre. Nëse pyesni serbët e Kosovës - dhe duhet thënë se dy të tretat e tyre janë njerëz të zhvendosur në pjesë të tjera të Serbisë - ata janë të gjithë kundër pjesmarrjes në kushtet e tanishme.

Zëri i Amerikës: A ka një debat të hapur në Serbi për të ardhmen e Kosovës, apo kjo temë është ende tabu?

Dushan Batakoviç: Nuk është aspak tabu. Përkundrazi, Serbia është një shtet demokratik funksional, me një spektër të gjithanshëm idesh. Debati rreth Kosovën është një temat kryesore në programin tonë të përditshëm. Ka nga të gjitha llojet e pikpamjeve, por natyrisht pikpamja dominuese është se Serbia nuk duhet të pranojë asnjë lloj pavarësie për Kosovën.

Zëri i Amerikës: Si i shikoni ju zhvillimet e fundit, ku nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar po dëgjohen gjithnjë e më shumë thirrje për pavarësinë e Kosovës?

Dushan Batakoviç: Ekzistojnë gjithfarë idesh që po hidhen tani kudo. Por mendoj se nëse shqetësohemi për stabilitetin e ardhshëm të rajonit dhe për sigurimin afatgjatë dhe bashkëjetesën e vendeve të ndryshme brenda rajonit dhe brenda vetë Unionit Serbi-Mal i Zi, atëhere, ne mendojmë se kjo do të ishte zgjidhja e gabuar. Ne mendojmë se zgjidhja do të ishte diçka në mes, e cila të kënaqte si interesat e Beogradit edhe ato të Prishtinës. //rd//

XS
SM
MD
LG