Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian miratuan një plan për dërgimin në Kosovë të një ekipi ekspertësh për të ndihmuar autoritetet vendore në sektorët e rendit, drejtësisë, dhe administratës publike.
Në takimin e tyre sot në Luksemburg, ministrat evropianë thanë se misioni do të ndihmojë autoritetet të zgjidhin ndonjë krizë të mundshme që mund të lindë në sistemin e drejtësisë.
Një ekip përgatitor pritet të fillojë punën në Kosovë në fund të këtij muaji, ndërsa ekipi i plotë prej 800 ekspertësh të policisë dhe drejtësisë pritet të vendoset aty deri në shtator.
Ekipi i punës do të studiojë edhe mundësinë e transferimit të disa funksioneve të sektorit të drejtësisë nga Kombet e Bashkuara tek personeli i BE-së.
Bashkimi Evropian po e shton praninë e tij në Kosovë ndërsa udhëheqësit vendorë po vazhdojnë negociatat me ndërmjetësinë e OKB-së për statusin e Kosovës.