Lidhje

Shqipëri: Fillojnë procedurat për kallëzim penal ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme

  • Armand Mero
  • Tiranë

Në Shqipëri katër drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme janë denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka njoftuar se ka nisur procedurat për kallëzimin penal ndaj tyre. Sipas Kontrollit të Shtetit, nga shqyrtimi i aktivitetit financiar në vitet 2004- 2005, shtetit i është shkaktuar një dëm prej 31 milionë lekësh ose 310 mijë dollarësh për shkak të shkeljeve në zhvillimin e tenderave.

Shkeljet më të mëdha në Ministrinë e Brendshme, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, janë konstatuar me fondet për rikonstruksione të godinave të komisariateve, drejtorive të policisë në disa qytete e deri ne rikonstruksionin e kabinetit të ish-Ministrit të Rendit.

Vetëm për tenderat e zhvilluar për punimet në komisariatet e Tiranës, dhe Drejtorinë e Policisë së kryeqytetit, apo dhe zyrën e Ministrit gjatë viteve 2004 2005, dëmi ekonomik i shkaktuar, llogaritet në afër 188 mijë dollarë. Ndërkohë që, për ndërhyrjet në godinat nëpër rrethe ,sipas Kontrollit, është rritur artificialisht vlera e objekteve.

Eksperët e Kontrollit kanë konstatuar gjithashtu shkelje edhe nga emërimet e punonjësve me grada më të larta se funksioni, gjë që sipas llogaritjeve ka shkaktuar një dëm financiar prej 86 mijë dollarësh.

Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë, apo ish-drejtues të periudhës gjatë së cilës është shtrirë kontrolli, akuzohen se nuk kanë zhvilluar tendera për blerje të nevojshme, duke mos realizuar fondet e parashikuara nga buxheti i shtetit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka njoftuar se pas këtyre shkeljeve, kanë nisur menjëherë procedurat për kallëzimin penal të katër zyrtarëve të Ministrisë, të gjithë në nivel drejtorash, si dhe ka kërkuar largimin nga shërbimi civil të ish-Sekretarit të Përgjithshëm, ish-Shefes së Sektorit të Prokuroimeve Publike dhe për tre punonjës të tjerë të këtij sektori.

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Ceku, deklaroi pak kohë më parë në Parlament, se aktualisht, po zhvillohen kontrolle dhe për muajt e fundit në disa institucione, ku sipas tij sërish janë vënë re shkelje të përmasave të mëdha.//lk

XS
SM
MD
LG