Lidhje

Reagimet e para të ish-Ministrit të Financave pas akuzave për shpërdorim detyre


Në Shqipëri, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i kërkoi Prokurorisë së Tiranës, të fillojë ndjekje penale për shpërdorim detyre për ish-Ministrin e Financave Arben Malaj. Kjo drejtori thotë se zoti Malaj i ka shkaktuar shtetit një dëm financiar prej rreth 44 milion lekësh dhe se ish-ministri ka favorizuar shoqërinë ''Eurodrin''. Deputeti i Partisë Socialiste ndodhet aktualisht për një program studimi në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, cili është reagimi juaj i parë ndaj këtyre akuzave? Kishit dijeni më parë për çështjen?

Arben Malaj: Fillimisht dëshëroj të theksoj pikërisht këtë moment. Nëse realisht qeveria ka vullnet të luftojë korrupsionin, ajo mund ta realizojë këtë në rrugë ligjore dhe me transparencë maksimale. Në këtë rast ka munguar transparenca. Megjithëse kam qenë në Shqipëri për aktivitet parlamentar, dhe pse ligji e detyron administratën që për çdo kontroll teknik të krijojë akses për këdo që ka një vërejtje, një sugjerim, duket se ky kontroll nuk ka qenë teknik, përderisa nuk janë respektuar kërkesat ligjore, dhe mbetet në thelb të jetë një veprim politik, të cilët duket se janë përfshirë shpesh në politikën shqiptare.

Zëri i Amerikës: Pavarësisht nëse akuzat janë apo jo të drejta, a jeni i gatshëm të bashkëpunoni me prokurorinë apo do të shfrytëzoni imunitetin që keni si deputet për t'u mbrojtur prej tyre?

Arben Malaj: E para dëshëroj të theksoj që ndjej trishtim dhe nuk do të doja që hakmarrja politike të veprojë si mallkim në jetën politike shqiptare, ç’ka duket gjatë këtij tranzicioni të vështirë. E dyta, kam deklaruar publikisht në çdo rast që nuk kam nevojë për një imunitet formal dhe as për një votim me kuti të fshehtë. Unë shpresoj se është detyrim i çdo anëtari qeverie ose ish-anëtari qeverie që të ketë një bashkëpunim të shpejtë transparent dhe ligjor me organet e drejtësisë për të vërtetuar falsitetin e akuzave dhe për të ndihmuar që jeta politike shqiptare të mos ndodhet në këtë stres i cili duket se po rëndohet sa më tepër që qeveria duket se nuk po realizon dot premtimet me të cilat erdhi në pushtet.

Zëri i Amerikës: Por le të mos harrojmë, zoti Malaj, se politikanët në Shqipëri, kur akuzohen për korrupsion, për shembull, thonë se akuzat janë politike. Si mund ta ndajë porkuroria ose drejtësia në Shqipëri, si mund të vendosë ajo një kufi nëse akuzat janë apo jo reale? Sepse ka një kufi, ka një nevojë për të dalë nga ky rreth vicioz.

Arben Malaj: Sigurisht, për të ndihmuar këtë process, unë kam deklaruar publikisht që nuk kam nevojë për imunitet dhe as për votim me kuti të fshehtë, sepse realisht ky kufi është i ngushtë, por nga ana tjetër, në realitetin shqiptar duket se tendencat abuzive janë prezent. Përgjithësisht, rrugët janë të qarta. Rruga duhet të jetë ndërmjet shtetit ligjor dhe transparencës. Kur (ish-)Presidenti Berisha akuzoi për pastrim paraje, dhe unë isha minister finance, iu drejtova gjyqit i cili ka dy vjet që vonohet dhe (çështja) aktualisht ndodhet në Gjykatën e Apelit. Pra, ka një kontradiktë: kryeministri aktual nuk e respekton sistemin ligjor të një shteti ligjor dhe, nga ana tjetër, keqpërdor çdo influencë negative në strukturat e tij për të krijuar një luftë politike nën idenë e antikorrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, qeveria Berisha ka ngritur herë pas here akuza kundër disa ish-ministrave të tjerë socialistë. Përgjithësisht, nga përvoja juaj, teknikisht, sa e vështirë është të provohet nëse një ish-zyrtar i lartë ka gisht në afera korruptive?

Arben Malaj: Unë besoj se realiteti këtu në Shtetet e Bashkaura të Amerikës tregon se, kur respektohet shteti ligjor dhe kur lufta kundër korrupsionit nuk përdoret si luftë politike, por si një obligim ligjor, rezultatet janë konkrete. E vështira e realitetit shqiptar është që e gjithë fushata u përdor në luftën antikorrupsion, (ndërkohë që) mungojnë provat konkrete (dhe) është rritur presioni i opinionit publik mbi Berishën për të vërtetuar akuzat. Dhe duket se ka një lidhje proporcionale: sa më shumë rritet presioni ndaj Berishës për të vërtetuar akuzat, aq më shumë përdor Berisha autoritetin e tij tek strukturat shtetërore.

Zëri i Amerikës: Zoti Malaj, që nga ardhja në fuqi, qeveria thotë se ka patur rritje të ndjeshme në vjeljen e të ardhurave nga taksat dhe nga doganat. Nëse vërtet, të ardhurat nga taksat dhe doganat janë shtuar, a nuk përbën kjo një kritikë, si të thuash, për punën tuaj si ministër i financave në qeverinë e mëparshme.

Arben Malaj: Sigurisht që financat e atij vendi janë drejtuar nga katër ministra. Sigurisht, gjithmonë ka mundësi që të bësh më shumë. Por ka një dallim esencial midis asaj që konstatohet në qeverinë e PD-së dhe midis asaj që ne dëshironim të bënim. Ne ishim të bindur që një dualitet, ku bazohej përmirësimi i kuadrit ligjor, modernizimi i administratës tatimore, performanca e saj, japin rezultate më të qendrueshme, se sa thjeshtë vullneti i tepruar për të mbledhur të ardhura për një buxhet suplementar dhe për ta përdorur atë për qëllime elektorale të zgjedhjeve vendore. Kemi qenë pikërisht në këtë koncept, kur i kërkuam institucioneve ndërkombëtare të kryenin studimin për ekonominë informale, kur kërkuam mbë shtetje nga qeveria amerikane për modernizimin e tatimeve (duhet ta falenderojmë për rreth 14 milionë dollarë që do të përdoren së shpejti në ekonominë shqiptare për të modernizuar tatimet), kur bashkëpunuam me Komisionin Evropian për modernizimin e doganave e tatimeve. Nuk është e vështirë kur ekonomia informale është e konsiderueshme që të rritësh të ardhurat duke kërkuar thjeshtë një administrim që tenton të bëhet abuziv.

Zëri i Amerikës: Duhet thënë se asnjë zyrtar i qeverisë së re, me sa dimë, nuk ka biznese, të paktën nuk ka konflikte interesi, dhe kjo i ka dhënë zemër doganave dhe sigurisht që kjo ndikon në eliminimin e monopoleve, cili është komenti i juaj për këtë.

Arben Malaj: Sigurisht, gjithmonë ka vend për përmirësim. Nuk e di aktualisht nëse ndonjë ministër ka apo nuk ka, apo sa ka qenë numri i mëparshëm i ministrave, sepse gjithmonë ka pasur një tendencë abuzuese në publikun shqiptar, por akoma nuk jam i bindur që në publikun shqiptar të ndjehen përfutimet e luftës kundër monopoleve, sepse realisht përfitimet e luftës kundër monopoleve nuk janë thjeshtë përfitime buxhetore. Ato duhet të ndjehen në tregun e përditshëm dhe normalisht në një analizë që i bëj ekonomisë shqiptare, duket se mënyra se si po veprohet, sidomos në tregun e ndërtimeve, shqiptarët po humbasin mundësinë që të ndjejnë elementë përfitues të reformave që janë kryer në ekonominë shqiptare. //az//

XS
SM
MD
LG