Lidhje

Bisedimet e Vjenës, pa ndonjë marrëveshje për privatizimin dhe pronësinë në Kosovë


Në Vjenë u zhvillua dje një raund i gjashtë bisedimesh për statusin e ardhshëm të Kosovës por sipas njoftimeve, nuk u shënua ndonjë përparim. Beogradi u përpoq ta ndalë procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore në Kosovë, gjë që u hodh poshtë si nga Prishtina ashtu edhe nga ndërmjetësit ndërkombëtarë.

Negociatori serb, Leon Kojen tha se pati pak përparim për çështjen e privatizimit dhe të pronësisë, të cilat ishin temat e bisedimeve gjashtëorëshe. Ai tha gjithashtu se ka pak shpresë për një marrëveshje në të ardhmen.

Stefan Lehne, diplomati austriak dhe zyrtari i Bashkimit Evropian që merret me çështjet ekonomike në Kosovë, thotë se serbët duan që privatizimi të ndalet dhe të ristrukturohet.

Sipas palës serbe, shitja e ndërmarrjeve shtetërore nën mbikqyrjen e OKB-së është e paligjshme dhe ka bërë që prona me vlerë të madhe të shiten me çmime tepër të ulta. Privatizimi në Kosovë, i cili është karakterizuar nga rryshfete dhe debate rreth pronësisë, është pjesë e ristrukturimit ekonomik të drejtuar nga UNMIK-u. Deri tani, vetëm pak hotele dhe kompani të mesme kanë kaluar në administrimin privat. Lehne thotë se vendosja e kushteve të privatizimit nuk është pjesë e bisedimeve për statusin: "Kjo nuk është pjesë e mandatit të kryenegociatorit Martti Ahtisaari, pra rinegocimi me themel i legjislacionit ekonomik që ka zbatuar Kosova në shtatë vitet e kaluara. Edhe Bashkimi Evropian nuk ka mandat për të ndërhyrë në këto procese tani për tani" , thotë zoti Lehne.

Gjashtë raundet e bisedimeve që nga muaji shkurt nuk kanë bërë shumë për të arrritur pika të përbashkëta midis shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova administrohet nga Kombet e Bashkuara që nga viti 1999, kur fushata e bombardimeve të NATO-s në mbështetje të rebelimit të shqiptarëve bëri që trupat serbe të largohen nga Kosova.

Shqiptarët, të cilët përbëjnë 90 përqind të Kosovës kërkojnë pavarësia ndërsa Serbia ofron vetëm autonomi për këtë territor që ajo e shikon si djepin e saj fetar. Kombet e Bashkuara shpresojnë që statusi i Kosovës të jetë zgjidhur deri në fund të vitit.

Delegacionin e Kosovës në bisedimet e djeshme në Vjenë i kryesoi Skënder Hyseni. Ai i tha Zërit të Amerikës se faji për bllokimin e procesit i mbetet Serbisë: "Në thelb, çdo njeri mund të shohë se e vetmja arësye që Beogradi erdhi në këto bisedime ishte për të penguar procesin e privatizimit në Kosovë, gjë që është e papranueshme si për ne ashtu edhe me sa duket për komunitetin ndërkombëtar."

Kryenegociatori Marti Ahtisaari thotë se shpreson që deri më 1 korrik jetë kaluar në fazën e bisedimeve për statusin. //rd//

XS
SM
MD
LG