Lidhje

Kryeministri Berisha akuzon Kryetarin e Bashkisë së Tiranës për lejet e ndërtimit


Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot sërish kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit për përfitime nga lejet e ndërtimit në Tiranë. Ai i bëri deklaratat e tij gjatë një takimi me ndërtues ku u debatua rreth projektligjit të ri të urbanistikës. Përfaqësuesi i Bashkisë i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit, ashtu sikundër zyrtarisht dje zoti Rama nëpërmjet shefit të tij të kabinetit i kujtoi kreut të qeverisë se duhet të vërtetojë akuzat e të mos merret me sulme personale.

Pas një periudhe heshtjeje në marrëdhëniet mes qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, kanë rinisur sërish shkëmbimet e akuzave. Kryeministri Sali Berisha brenda dy ditëve ka sulmuar dy herë radhazi kryebashkiakun Edi Rama, njëkohësisht dhe kryetar i partisë socialiste në opozitë.

Sipas tij zoti Rama nëpërmjet ndërmjetësve apo sekserëve merr para për cdo metër katror leje ndërtimi që lëshon bashkia e kryeqytetit. Këtë akuzë ai e përsëriti sot në takimin me ndërtuesit.

Akuzave të djeshme kryetari i Bashkisë iu përgjigj duke u shprehur se i ka bërë prej kohësh një ftesë publike kryeministrit që të vërtetojë akuzat që ka lëshuar ndaj tij, akuza që kryebashkiaku Rama i konsideron tërësisht personale.

Ndërsa në takimin e sotëm ku ishin përfaqësues të bashkisë, ishte drejtori i Urbanistikës Dritan Agolli që kundërshtoi kryeministrin Sali Berisha. Ankesave të ndërtuesve për bllokim të Këshillit të Rregullimit të Territorit kryeministri iu përgjigj se do të urdhërojë prefektin që të thërrasë mbledhjet e këtij këshilli.

Ndërkohë projektligji i ri i urbanistikës parashikon që në rastet kur një vendim nuk firmoset nga kryetari i Bashkisë atëherë këtë mund ta bëjë anëtari më i vjetër i Këshillit. Gjithashtu projekti ka vendosur edhe që në rast se një leje refuzohet nga Bashkia atëherë atë mund ta marrë në shqyrtim Këshilli i Rregullimit të Territorit. Pikë e cila është kundërshtuar nga përfaqësuesit e Bashkisë të cilët e kanë quajtur atë si absurd, pasi sipas tyre kryeministri i jep të drejtë vetes të japë leje ndërtimi.

Përplasja mes kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë Edi Rama ka nisur prej kohësh. Në fund të vitit të kaluar ajo kulmoi me vendimin për prishjen e mbikalimit të zogut të zi dhe më pas me aktin normativ të qeverisë që i jep të drejtë prefektit të thërrasë mbledhjet e Këshillave të Bashkisë, akt i cili aktualisht është nën shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese. //rd//

XS
SM
MD
LG