Lidhje

Shqipëria në Raportin për Trafikimin e Personave


Raport mbi Trafikimin e Personave, 2006 Shqipëria (Grupi 2)

Shqipëria është në radhë të parë një vend burimi për gra dhe fëmijë të trafikuar për qëllime shfrytëzimi seksual dhe pune të detyruar. Viktimat trafikohen në Greqi dhe Itali, ku shumë prej këtyre viktimave trafikohen më tej në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Gjermani dhe Hollandë.

Trafikimi i brendshëm në Shqipëri dhe ritrafikimi i viktimave shqiptare në vende të tjera mbeti një problem gjatë vitit 2005.

Raportimet mbi fëmijë romë dhe egjiptianë të trafikuar për punë të detyruar apo për të lypur vazhduan. Qeveria e Shqipërisë nuk përmbush plotësisht standartet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, ajo është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria vazhdoi të prodhonte ndjekje penale dhe dënime të suksesshme të trafikantëve, emëroi një bashkërendues të ri kombëtar me kohë të plotë me staf, filloi të zbatonte ligjin e vet për mbrojtjen e dëshmitarëve për viktimat e trafikimit, si dhe nënshkroi një marrëveshje dypalëshe kundër trafikimit të fëmijëve me Greqinë.

Ndërkohë që qeveria demonstroi përpjekje të forta ligjzbatuese, në përgjithësi, zbatimi i programeve mbrojtëse dhe parandaluese të qeverisë mbeti i dobët. Qeveria duhet të zbatojë plotësisht programin e vet për mbrojtjen e dëshmitarëve, të nxisë një numër më të madh viktimash të dëshmojnë kundër trafikuesve të tyre dhe të bëjë përpjekje për të garantuar sigurinë e viktimave. Shërbimet e gjithanshme riintegruese dhe rehabilituese janë me rëndësi kritike për të parandaluar ritrafikimin e qytetarëve shqiptarë.

Qeveria si e tërë duhet të marrë një rol më të madh udhëheqës në përpjekjet anti-trafikim të vendit, të zbatojë në mënyrë aktive Planin e vet për Veprim Kombëtar, si dhe të hetojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë energjike korrupsionin e lidhur me trafikimin në të gjitha nivelet e organeve ligjzbatuese.

Ndjekja penale

Në vitin 2005, Qeveria e Shqipërisë vazhdoi në mënyrë aktive të hetonte dhe ndiqte penalisht trafikimin; hetoi 49 raste, ndoqi penalisht 51 trafikantë dhe dënoi 54 trafikantë. Gjykatat shqiptare dënuan më shumë se gjysmën e trafikantëve të dënuar për 5 deri 10 vjet – me disa dënime mbi 10 vjet – çka përbëjnë dënime domethënëse në nivel rajoni. Në shkurt 2005, qeveria ngriti një njësi të specializuar për konfiskimin e aseteve dhe, deri tani, ka siguruar gjykime përfundimtare për konfiskim për dy çështje trafikimi. Ka çështje të tjera në proces. Qeveria dështoi të kryente trainimin e vet të specializuar kundër-trafikim për policinë, prokurorë, gjyqtarë, si edhe të tjerë zyrtarë ligjzbatues gjatë vitit 2005, por vazhdoi të bashkëpunonte ngushtë me OJQ dhe organizata ndërkombëtare mbi kontrollin e kufijve dhe trainime të ndryshme. Vazhduan raportimet për korrupsion të lidhur me trafikimin në Shqipëri, i cili përfshinte zyrtarë të qeverisë dhe policisë. Qeveria rriti hetimin e vet mbi oficerë policie për përfshirje në kalime të paligjshme të kufirit, por nuk gjeti ndonjë zyrtar qeveritar bashkëfajtor për trafikim.

Mbrojtja

Qeveria ruajti përpjekjet e saj modeste për të mbrojtur dhe riintegruar viktima të trafikimit gjatë vitit 2005. OJQ dhe organizata ndërkombëtare administruan dhe financuan shumicën e shërbimeve për viktima; megjithatë, qeveria ofroi disa mjedise dhe personel. Në vitin 2006, qeveria filloi të përdorte në një çështje një program për mbrojtjen e dëshmitarëve për viktima të trafikimit. Ndërkohë që qeveria miratoi një mekanizëm kombëtar për referimin e viktimave në vitin 2005, ajo nuk e vuri atë në përdorim gjatë periudhës së raportimit. Në vitin 2005, policia shqiptare vazhdoi t’i referonte viktimat në mënyrë joformale drejt strehave dhe asistencës për riintegrim. Policia identifikoi dhe referoi 28 viktima të identifikuara në Shqipëri dhe referoi 214 viktima – ose të riatdhesuara ose të kthyera në Shqipëri – për në Qendrën Vatra, një OJQ kryesore në Shipëri që ofron strehim dhe shërbime për viktimat. Qendra Vatra raportoi se ndihmoi 238 viktima gjatë vitit 2005, më shumë se gjysma e të cilave kishin qenë trafikuar në të paktën një rast të mëparshëm. Gjithashtu, një tjetër strehë riintegrimi, Të Ndryshëm dhe Të Barabartë, raportoi se pati ndihmuar 23 gra dhe vajza gjatë vitit 2005. Qendra Kombëtare për Referimin e Viktimave, një qendër shtetërore, strehoi përkohësisht 32 viktima gjatë vitit 2005; shumë u transferuan në streha të tjera për riintegrim. Në shkurt 2006, qeveria nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Greqinë për të trajtuar trafikimin e fëmijëve, çka duhet të ndihmojë për kthimin e viktimave të trafikimit të fëmijëve nga Greqia në Shqipëri.

Parandalim

Qeveria bëri njëfarë përparimi në parandalimin e trafikimit gjatë periudhës së raportimit. Në vitin 2005, qeveria emëroi një bashkërendues të ri kombëtar me kohë të plotë me një staf të vetin prej pesë vetësh. Ajo e përkrahu publikisht Planin Kombëtar të Veprimit të qeverisë së mëparshme për periudhën 2005-2007, megjithëse dështoi të zbatonte pjesën më të madhe të objektivave të atij Plani, përfshi zbatimin e një mekanizmi për referimin, përmirësimin e mbrojtjes së dëshmitarëve, trainimin profesional dhe përpjekje të tjera kyçe për riintegrim, trainim të specializuar për zbatimin e ligjit, si dhe një fushatë ndërgjegjësimi me shënjestër të përcaktuar. Qeveria ndërmori hapa për të rritur nivelin e bashkërendimit me OJQtë dhe organizatat ndërkombëtare, por u mbështet në radhë të parë mbi këto grupe për parandalim kundër trafikimit dhe për sensibilizim për popullsi të prekshme dhe viktima të mundshme. Ministria e Arsimit vazhdoi të zbatonte me IOMin një projekt që kishte në shënjestër 36 shkolla në rajone në rrezik, si dhe e zgjeroi programin edhe në 10 shkolla të tjera gjatë vitit 2005. //rd//

XS
SM
MD
LG