Lidhje

Përfitimet ekonomike të Gjermanisë nga Kampionati Botëror i Futbollit


Kampionati Botëror i Futbollit, 2006, do të sjellë në Gjermani miliona tifozë gjatë katër javëve të ndeshjeve. Gjatë kësaj kohe çdo vizitor parashikohet të shpenzojë rreth 400 dollarë në ditë. Në përgatitje për ndeshjet, stadiumet janë rregulluar dhe janë riparuar rrugët duke i dhënë një shtytje ekonomisë gjermane, e cila prej pesë vjetësh ka qenë në stanjacion:

Goleo i Gjashti, është simboli i Kampionatit Botëror të Futbollit. Kompania gjermane Nici i pagoi 33 milion dollarë Fifës, për të siguruar të drejtën ekskluzive për ta prodhuar Goleon. Megjithatë, ky krijim nuk është përqafuar nga turmat dhe ka mbetur në raftet e dyqaneve. Kompania Nici ka shpallur falimentimin, ndërkohë që njoftohet se shitjet nuk ishin të një niveli të mjaftueshëm për të mbuluar koston. Ish-kreu i kompanisë është arrestuar për mashtrime.

Biznese të tjera gjermane po shpresojnë të jenë më të suksesshme. Një dyqan në qendër të Berlinit i ka zënë mbi 10 për qind të rafteve me mallra të Kamionatit. Pronarja Lan Lu thotë se është treguar e frenuar pasi nuk e di si do të ndikojë Kampionati mbi shitjet:

"Nuk jam e sigurtë si do të ndikojë mbi biznesin tim, pasi për herë të parë po përjetoj një veprimtari të tillë. U përpoqëm të përgatiteshim sa më mirë, dhe tani po presim. Autoritetet gjermane janë optimiste lidhur me ndikimin ekonomik të kampionatit."-thotë ajo.

Pas 5 vjetësh stanjacioni, vendi pret të ketë një rritje të prodhimit të përgjithshëm kombëtar në masën 1 presje 6 për qind, dhe sipas analistëve 0 presje 5 për qind e kësaj rritjeje është rezultat i kampionatit.

Qeveria ka shpenzuar rreth 7 presje 7 trilion dollarë për rregullimin e stadiumeve dhe përmirësimin e infrastrukturës. Këtu përfshihet edhe stacioni i ri i trenit në Berlin, për ndërtimin e të cilit u deshën 11 vjet, dhe konsiderohet si më i madhi në Evropë. Ky objekt kushtoi më shumë se 900 milion dollarë. Berlini, ashtu si qytetet e tjera ku do të zhvillohen ndeshje, shpreson se shitjet, reklama dhe prestigji që shoqërojnë Kampionatin Botëror do të shndërrohen në fitime dhe do t’i japin hov më të madh rritjes ekonomike që po vërehet.

Industria e hoteleve dhe shitjeve ushqimore parashikon fitime në masën 650 milion dollarë. Po ashtu përllogaritet se Botërori do të hapë 60 mijë vende të reja pune në të gjithë vendin, 20 mijë prej të cilave do të ekzistojnë edhe pas Kampionatit. Megjithatë, kjo shifër është shumë e vogël përkundrejt ritmeve të papunësisë në masën 11 për qind.

Disa biznese, si hoteli me 5 yje Grand Hyatt, parashikojnë se përfitimet do të shihen më vonë. Zëdhënësja Kerstin Riedel thotë se hoteli shpreson për fitime afat-gjata:

"Është e vërtetë se nuk kemi parë një shtim të madh prenotimesh krahasuar me të njëjtën periudhë në një vit të zakonshëm. Por do të thoja se ndikimet e Botërorit do të shihen jo vetëm në 2006 por edhe në 2007. Pra mund të shpresojmë për rritjen e biznesit në të ardhmen."- thotë ajo.

Ulrike Regele, i cili bën pjesë në një grup të njohur biznesi në Gjermani, thotë se analistët duhet të shohin pamjen e përgjithshme:

"Është vështirë të matësh përfitimet. Nuk mund të ndash nga njëra anë rritjen normale dhe nga ana tjetër rritjen që ka sjellë Kampionati. Për më tepër nuk ka shumë rëndësi. Shifrat e vërteta ekonomike nuk janë aq të rëndësishme sa figura që bëjmë."

Miliona njerëz do të ndjekin Kampionatin. Media do të shruajë mijëra artikuj gjatë ndjeshjeve, të shoqëruara me pamje nga Gjermania. E gjitha kjo i shërben Gjermanisë. Pra një vlerësim më i qartë i përfitimeve nga Kampionati ka të ngjarë të bëhet i mundur në një periudhë disa vjeçare. Megjithatë, gjermanët shpresojnë se do t’ia dalin më me sukses se simboli i Kampionatit, Galeo i Gjashtë.//lk

XS
SM
MD
LG