Lidhje

Presidenti Bush i vendosur të sigurojë mbështetje botërore në konfrontimin me Korenë e Veriut


Presidenti Bush thotë se është i vendosur të sigurojë mbështetje botërore në konfrontimin me Korenë e Veriut lidhur provat e saj të fundit me raketa.

Duke folur dje në një konferencë shtypi në Çikago, zoti Bush tha se dëshiron që bota të flasë me një zë për këtë çështje dhe paralajmëroi se diplomacia kërkon kohë.

Presidenti Bush tha se dëshiron një zgjidhje diplomatike për krizën lidhur me provat e raketave të Koresë së Veriut. Por ai paralajmëroi se arritja e një konsensusi për ndalimin e provave të tilla do të kërkojë kohë: "Ju e dini problemin me diplomacinë: Duhet një farë kohë për të arritur diçka. Nëse vepron i vetëm mund të veprosh me shpejtësi. Por kur përpiqesh të sigurosh mbështetjen e opinionit botëtor dhe të flasësh me gjuhën e duhur në Kombet e Bashkuara për të dërguar një sinjal të qartë, kjo kërkon kohë", tha presidenti Bush.

Madeline Albright, ish sekretare e shtetit në kohën e Presidentit Clinton, i mbështet përpjekjet diplomatike të Presidentit Bush por mendon se kërkohet të bëhet më shumë: "Mendoj se ai duhet të vazhdojë në rrugën e deritanishme pra me shumë diplomaci personale dhe duke u përpjekur ta bëjë të qartë se ajo që po bëjnë koreanoveriorët është e papranueshme. Por njëkohësisht do t’i thosha atij se në të njëjtën skenë, ne duhet të zhvillojmë edhe bisedime dypalëshe me Korenë e Veriut", tha zonja Albright.

Zoti Bush preku një numër temash të tjerash në konferencën e tij njëorëshe të shtypit në Çikago. Lidhur me ambiciet bërthamore të Iranit, ai tha se kjo do të ishte një temë kyçe diskutimesh gjatë takimit të tetëshes në Rusi: "Ju e dini, disa vende e kanë më të lehtë me sanksionet se sa disa të tjera. Pjesë e problemit me të cilin ne përballemi në disa prej këtyre vendeve është se ato kanë interesa ekonomike. Pjesë e objektivit tonë është të garantojmë se interesat e sigurimit kombëtar do të kenë përparësi mbi interesat ekonomike."

Konferenca e djeshme e shtypit ishte e para në një seri takimesh të tilla të planifikuara për t’u mbajtur jashtë Uashingtonit gjatë muajve të ardhshëm. KJo është pjesë e strategjisë së Presidentit Bush për të forcuar mbështetjen e amerikanëve ndaj Partisë Republikane përpara zgjedhjeve për Kongresin në muajin nëntor të këtij viti. //rd//

XS
SM
MD
LG