Lidhje

Koshtunica përfundoi një vizitë në Washington, gjatë së cilës ai u takua me zyrtarë të lartë amerikanë

  • Barry Wood
  • Uashington

Kryeministri i Sërbisë, Vojisllav Koshtunica, përfundoi të mërkurën një vizitë këtu në Washington, gjatë së cilës ai zhvilloi bisedime rreth së ardhmes së Kosovës me Sekretaren amerikane të Shtetit, Kondoliza Rajs, dhe me nën-presidentin Dik Çejni.

Kryeministri Koshtunica paralajmëroi kundër asaj që e cilësoi si eksperiment të rrezikshëm të rivendosjes së kufijve në Ballkan. Duke folur para një audience në Klubin Kombëtar të Shtypit në Washington, udhëheqësi sërb tha se komuniteti ndërkombëtar do të bënte një gabim shumë të madh në se do të lejonte që Kosova të bëhet e pavarur.

Pavarësia për këtë pjesë përbërëse të Sërbisë, tha ai, do të ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe e kartës së Kombeve të Bashkuara dhe nuk do të pranohet nga Sërbia. Duke thënë se kishte mbetur i kënaqur nga bisedimet me zyrtarët amerikanë, zoti Koshtunica e cilësoi Kosovën një problem të ndërlikuar që nuk është lehtë të zgjidhet.

“Problemi i Kosovës është shumë i ndërlikuar dhe pasojat e tij mund të jenë tepër të vështira. Çdo kush duhet të tregohet shumë i kujdesshëm në gjetjen e një zgjidhjeje.”

Kosova është nën administrimin e OKB-së që nga viti 1999, kur fushata ajrore e NATO-s çoi në largimin e forcave serbe që akuzoheshin për krime. Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësi nga Sërbia, ndërkohë që Beogradi ofron autonomi për Kosovën brënda Sërbisë. Bisedimet për të ardhmen e Kosovës të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara filluan në muajin shkurt, por kanë shënuar pak përparim. Zyrtarët shpresojnë që brenda këtij viti të arrihet një zgjidhje përmes bisedimeve. Por zoti Koshtunica thotë se nuk është reale që fuqitë e mëdha të mendojnë se mund ta zgjidhin statusin e Kosovës deri në fund të vitit.

“Në se ekziston një problem i ndërlikuar, duhet kërkuar një zgjidhje e ndërlikuar e këtij problemi dhe jo një zgjidhje e thjeshtë. Madje duhet të paktën të bëhen përpjekje të shumta dhe për sa kohë që të jetë e nevojshme për gjetjen e një zgjidhjeje.”

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë sot mbi çështjen e Kosovës dhe ish presidenti i Finlandës, Marti Ahtisari, i cili kryeson negociatat mbi statusin e Kosovës ka në plan të zhvillojë një takim me të dyja palët para fundit të këtij muaji. //ze

XS
SM
MD
LG