Lidhje

Portret i grupit Hezbollah


Rrëmbimi i dy ushtarëve izraelitë nga Hezbollahu në Liban, provokoi një përgjigje ushtarake nga ana e Izraelit, që ka çuar në viktima mes popullsisë civile në Liban dhe shkatërrime në infrastrukturën e tij. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim organizatës Hezbollah, e cila pretendon se i shërben myslimanëve në Liban dhe në vendet fqinje, duke kombinuar fenë me armët.

Hezbollahu, apo Partia e Zotit, u krijua në vitin 1982, për të luftuar kundër pushtimit të Libanit nga Izraeli. Krahu i tij ushtarak, Rezistenca Islamike, ndihmoi në dëbimin e forcave izraelite nga Libani në vitin 2 mijë. Një sulm vetëvrasës i Hezbollahut ndaj marinsave amerikane në Bejrut, bëri që forcat amerikane të tërhiqeshin prej andej. Hezbollahu po ashtu ka ndihmuar komunitetin mysliman shi’it në Libanin jugor, që u shpërngul gjatë ndërhyrjes ushtarake të vitit 1982.

Judith Kipper është eksperte për Lindjen e Mesme pranë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, një organizatë jo-qeveritare me seli në Washington: "Gjatë viteve, Hezbollahu ka qenë i aftë të sigurojë kushtet e nevojshme sociale, arsimore, kujdesin shëndetësor, ndihmat ushqimore e të tjera, të cilat qeveria libaneze nuk ka qenë kurrë në gjendje t’i sigurojë për të gjithë popullin". Ekspertja Kipper shton se 14 anëtarë të Hezbollahut të zgjedhur në Parlamentin libanez, kanë bërë një punë të mirë si ligjvënës.

Por jashtë Libanit, grupi Hezbollah nuk njihet për punë në fushat sociale dhe politike. Dhe ky është imazhi i tij për pjesën më të madhe të botës. Hezbollahun e akuzojnë për rrëmbimin e dy ushtarëve izraelitë, për të cilët Izraeli thonë se është arsyeja për sulmin e tanishëm ndaj Libanit. Ish-shefi i forcave mbrojtëse të Izraelit, gjenerali Moshe Yaalon, ve theksin tek një plan më i gjerë i Hezbollahut: "Ideologjia e Hezbollahut nuk ka të bëjë vetëm me Libanin, apo me Izraelin. Ideologjia e Hezbollahut është po ashtu ideologjia ekstremiste e shiitëve revolucionarë të Iranit, që do të thotë imponim i islamizmit, mundësisht kudo në botë".

Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Sheiku Hassan Nasrallah e akuzon Izraelin si agresor. Ai thotë se myslimanët kanë për detyrë të luftojnë kundër pushtimit izraelit të tokave të tyre: "Vëllezërit, miqtë dhe të dashurit tanë dhe njerëzit të cilët ne duhet t’i besojmë, edhe armiqtë tanë, duhet ta dinë se krahu i rezistencës mund të arrijë kudo dhe se përgjigja e saj i tejkalon përmasat e veta".

Hezbollahu ka siguruar rreth 13 mijë raketa, të cilat tani po vrasin civilët izraelitë. Zbulimi izraelit thotë se burimi i këtij arsenali është Irani. Ish-i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Dennis Ross, e dënon bombardimin e civilëve izraelitë. Ai thotë se Hezbollahu po dëmton në të njëtjën kohë edhe Libanin: "Ekonomia libaneze po fillonte të rimëkëmbej. Ky ishte një sezon tepër i mirë turizmi për vendin dhe Hezbollahu, siç duket qartë, e ndërmori këtë hap pa marrë parasysh asgjë, për ndikimin që mund të kishte veprimi i tij për Libanin". Infrastruktura dhe popullsia civile e Libanit janë goditur rëndë nga ushtria izraelite, megjithëse mendohet se shumica e libanezëve nuk e mbështesin Hezbollahun.

Por Clayton Swisher, i Insitutit për Lindjen e Mesme në Washington, thotë se libanezët e perceptojnë sulmin izraelit si një formë të dënimit kolektiv: "Ata nuk e identifikojnë Hezbollahun si një faktor që duhet dënuar. Përkundrazi, ata identifikojnë si të tillë Izraelin dhe armët amerikane që po përdoren ndaj tyre. Sulmi izraelit do të ketë efektin e kundërt, për të cilin shpresonte Tel-Avivi të kishte". Zoti Swisher thotë se Izraeli nuk mund ta lejojë Hezbollahun të rrëmbejë ushtarët e tij. Por ai shton se izraelitët ndodhen në një gjendje të vështirë. Po të mos kishte patur përgjigje nga ana e tij, kjo do të mund të çonte në raste të tjera të shkeljes së sovranitetit të Izraelit. Por, në anën tjetër, një reagim i tepruar (nga ana e Izraelit), mund të shtojë simpatinë për Hezbollahun, që (nga ana e tij) nuk e njeh të drejtën e ekzistencës së Izraelit. //rd//

XS
SM
MD
LG