Lidhje

Studjuesit përpiqen të prodhojnë vaksinën kundër gripit të shpendëve


Studiuesit po përpiqen të zhvillojnë vaksina kundër gripit të shpendëve para se ai të kthehet në epidemi botërore. Fakulteti i mjekësisë i Universitetit të Masachusetts-it në Shtetet e Bashkura po bashkëpunon me një kompani farmaceutike britanike për zbulimin e një vaksine duke shfrytëzuar ADN-në e gripit të shpendëve.

Vaksinat tradicionale kundër gripit shfrytëzojnë viruse të dobësuara të gripit dhe kërkojnë muaj të tërë të prodhohen në shkallë të gjerë. Vaksina me ADN-në e gripit të shpendëve do të mund të kopjohej lehtësisht dhe prodhohej në sasi të mëdha. ADN-ja është molekulë e qelizës që përmban informacionin gjenetik të një qënieje. Vaksina e bazuar në ADN do të injektohej në organizëm pa përdorur gjilpërë.

Deri tani duket se virusi i gripit të shpendëve ka prekur vetëm njerëzit që kujdesen për shpendë shtëpiakë apo kanë ngrënë mish të infektuar. Virusi ka shkaktuar vdekjen e 125 vetëve në mbarë botën, si dhe ngordhjen e tufave të tëra të shpendëve në Azi, Evropë e Afrikë.

Ekspertët druhen se miliona njerëz mund të vdesin nëse virusi kombinohet me variante të gripit që përhapen ndërmjet njerëzve, dhe krijohet një lloj i ri gripi që transmetohet nga njeriu tek njeriu. Doktor Shan Lu punon në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Massachusetts:

“Siç shihet, virusi i gripit të shpendëve po përhapet në vende të tjera. Çështja është se kur do të arrijë të përhapet nga njeriu tek njeriu. Këtë nuk e dimë, por duhet të përgatitemi”- thotë mjeku.

Studiuesit po përpiqen të zbulojnë se si riprodhohet virusi, në mënyrë që të ndalet përhapja e tij. Shpendët e ujit dhe zogj të tjerë shtegtarë mund të preken nga virusi dhe e përhapin atë në pellgje, liqene e lumenj, por virusi prek njerëzit kur infekton shpendë shtëpiakë. Tani për tani, e vetmja rrugë për të mbajtur nën kontroll gripin e shpendëve është asgjësimi i shpendëve të sëmurë.

Daniel Perez drejton një program kërkimor për gripin e shpendëve në Universitetin e Marylandit. Ai nuk është i bindur nëse një vaksinë e efektshme do të mund të ndalte një epidemi në shkallë botërore, pasi viruset e shpendëve pësojnë vazhdimisht mutacione.

“Virusi është plotësisht i paparashikueshëm. Një nga pikëpyetjet më të mëdha do të ishte se sa doza vaksinash duhet të prodhojmë dhe kur, pasi po të fillojë epidemia nesër, nuk i kemi këto vaksina”- thotë ai.

Vaksina do të provohet së shpejti tek kafshët. Provat e saj tek njerëzit priten pas rreth 6 muajsh.

XS
SM
MD
LG