Lidhje

Del në kinematë amerikane filmi “World Trade Center”


Të mërkurën doli ne kinema filmi World Trade Center, Qendra Botërore e Tregëtisë, i regjisorit të njohur Oliver Stone me aktorët kryesorë Nicolas Cage, Michael Pena dhe Maggie Gyllenhaal. Filmi tregon historinë e vërtetë të dy policëve në Manhaten ditën që ndodhi sulmi terrorist i 11 Shtatorit 2001.

11 Shtatori i 2001-shit ishte një ditë jashtëzakonisht e nxehtë. Will Jimeno, luajtur nga Michael Pena, një oficer me Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, kishte ndërmend ta merrte pushim për t’u marrë me diçka tjetër, por ndërroi mendje duke vendosur që të shkonte në punë.

Oficeri John McLoughlin, luajtur nga Nicolas Cage, një veteran i respektuar i policisë, kishte orë që ishte zgjuar në rutinën e tij të përditshme në qytet.

“John McLoughlin dhe familja e tij janë këtu. Ne duam të tregojmë solidaritetin tonë për ata që rrezikuan jetët e tyre për të shpëtuar të tjerët dhe për ata që humbën jetët. Ky film është histori, i bazuar në histori në një ditë shumë të rëndësishme për vendin tonë”, thotë Cage.

Për të gjithë ishte një ditë e zakonshme në Manhatenin e zhurmshëm. Por kjo nuk ishte një ditë si të tjerat. Në orën 8:46 të mëngjesit aeroplani i parë goditi njërën prej kullave binjake.

Një grup i ndërhyrjes së parë u drejtua për në Qendrën Botërore të Tregtisë. Pesë burra, mes tyre McLouglin dhe Jimeno u futën në ndërtesë dhe mbetën të bllokuar kur u shemb ndërtesa.

Mrekullisht, McLouglin dhe Jimeno mbijetuan, por blloqet e shkatërruara të metalit dhe betonit i varrosën ata të gjallë. Pavarësisht se ata nuk e shikonin njëri tjetrin, ata e dëgjonin se dikush kishte shpëtuar dhe për 12 orët në vazhdim ata i dhanë njëri tjetrit kurajo duke biseduar për familjet, punën dhe shpresat e tyre.

Ky është filmi i ri i regjisorit Oliver Stone i famshëm me filma të tillë si Platoon, Born on Fourth of July dhe JFK. Ai thotë se ai u ndjeu për detyrë që të bënte një film për 11 Shtatorin.

“Sepse ndodhi dhe është e vërtetë. Janë pesë ngjarje që janë ndërlidhur me Nju Jorkezët në atë ditë dhe me çfarë ndodhi. Të gjithë i dhanë ndihmë njëri tjetrit, si familjet ashtu edhe policët. Filmi flet edhe për punonjësit e shpëtimit që nxorën dy policët. Është një ngjarje thuajse e pabesueshme”, thotë regjisori Stone.

Oliver Stone u bazua në mbijetuesit e 11 Shtatorit Jimeno dhe McLouglin për tu bërë i sigurtë se faktet ishin korrekte. Filmi ka dalë sot në kinematë amerikane.

XS
SM
MD
LG